Mjedis

Të mbjellësh pemët e gabuara është gabim, të mos dëgjosh është faj

Pas botimit të materialit të botuar nga Gazetasi.al që tregonte se në zonat urbane në Shqipëri po mbillen pemët e gabuara, sinqerisht u surprizuam për angazhimin e qytetarëve në komentet e shumta. Mësimi i parë është që njerëzit nuk mbeten apatikë kur ka tema që i shqetësojnë realisht, sado periferike qofshin ato. Ata janë gati të përfshihen nëse dëgjohen, ndaj ne zgjodhëm që sëbashku me mendimin e ekspertëve të risjellim zërin e tyre.

Disa syresh hidhnin ide për pemët që mund të mbillen.

Besnik Tuçi ka komentuar duke thënë se përveç pemëve frutore dhe shumë llojeve të tjera që kanë sugjeruar dy ekspertët e pyetur nga “Si”, në Shqipëri duhet të mbillet edhe bliri, sidomos “anës rrugëve, për të përfituar edhe nga aroma”.

Blirin e këshillojnë edhe lexues të tjerë. Adriatik Koroni thotë se përveç aromës, ai ushqen bletët, një koment që mbështet një tjetër lexues që thotë se “në qytetet tona të mbillen edhe bimë që i shërbejnë bletarisë siç është bliri”.

Drini Niku sugjeron se edhe ulliri mund të shihet si alternativë, për shkak të vlerave që ka; kuron shëndetin tonë dhe mjedisin.

Disa prej komenteve në Gazeta “Si”

Ekspertët i mëshuan faktit se është e rëndësishme që me mjelljen dhe kujdesin ndaj bimëve të merren ekspertë të fushës, një mendim që e ndajnë edhe lexuesit e Gazetasi.al.

“Rëndësi ka të vendosin specialistët e fushës të cilët edhe duhet të përgjigjen ligjërisht në rastet e dëmtimeve ose thyerjes së bimëve”, shkruan një nga lexuesit duke shtuar edhe faktin se me mungesën e specialistëve për kujdesin e bimëve. “Janë fonde të mëdha të shkuara dëm dhe funksione ambientaliste të paplotësuara”, shkruajti në profilin e Gazetasi.al në Facebook Bajram Cenko.

Mbjellja e rrapit është një shqetësim për banorët, e themi këtë sepse ka disa lexues që kanë përmendur pikërisht rrapin si një bimë që ka “mbytur” vendin tonë. Dhe “po mos ta kesh mendjen, thyen qafën nga rrënjët e tij që kanë ngritur pllakat nëpër rrugët e Tiranës”, shkruan një tjetër lexues.

Lexuesit janë pothuajse të gjithë në një mendje: Mbjellja e gabuar e pemëve bëhet “qëllimisht”. Dhe kjo “nuk është punë pemësh, është punë biznesi”, shkruan një lexues, ndjekur nga dikush tjetër që shkruan “lek, lek, lek”. Lexues të tjerë përmendin faktin se organet kompetente e dinë se çfarë duhet mbjellë por “si t’i zhvillojnë tenderët më pas për zëvendësimin e pemëve?” apo “ku do të vjedhin pastaj 2 milion lekët që marrin për një pemë”.

A nuk është kjo jeta jonë e përditshme?! Nuk do as mend dhe as kalem që të kuptosh se çfarë duan njerëzit sepse në fund të fundit edhe gjërat e mëdha janë për t’ua bërë jetën atyre më të thjeshtë. Mjafton që shqiptarët të respektojnë dhe dijen e trashëguar dhe se në vend të politikanëve, të vendosin qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë