Ne rrjet

Të mbijetuarit e Aushvicit kthehen në kamp për 80 vjetorin e çlirimit! Presidenti Putin i paftuar në ceremoni

Nga Gazeta ‘Si’- Të mbijetuarit e Aushvicit shënojnë 80-vjetorin e çlirimit.

Janë rreth 50 të mbijetuar të kampit që kthehen atje për të kujtuar ditën kur ai u çlirua më 27 janar 1945. Disa prej tyre më vonë do të vendosin kurora me lule dhe do të mbajnë fjalime.

Megjithëse temperaturat janë mbi zero dhe shumica e dëborës është shkrirë, shumica nga 50 pjesëmarrësit n ceremony janë tashmë shumë të brishtë për të qëndruar jashtë për një kohë të gjatë. Prandaj një tendë e madhe dhe e ngroht është ngritur mbi “Portën e Vdekjes”, siç njihet hyrja e Birkenaut.

Shumë u dërguan në Aushvic kur ishin fëmijë të vegjël dhe u transportuan atje me kamionë që përdoren për bartjen e bagëtive. Tani në moshën 80 apo 90 vjeç, ata mblidhen në atë që do të jetë ndër përvjetorët më prekës të çlirimit të kampit.

Kampi u çlirua nga ushtarët sovjetikë, por presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është ftuar në ceremonitë përkujtimore që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.

Në ceremoni nuk do të ketë fjalime politike nga liderët ndërkombëtarë.

“Ne i kujtojmë viktimat, por po ashtu festojmë për çlirimin”, tha drejtori i muzeut të Aushvicit, Piotr Cyinski, sipas AFP-së. “Është e vështirë të mendohet prania e Rusisë, e cila qartësisht nuk e kupton vlerën e çlirimit”.

Izraeli do të ketë një delegacion të madh të udhëhequr nga ministri i Arsimit, Yoav Kisch. Më herët, ka pasur kundërthënie lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Aushvici gjendet në Poloni, që është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), që ka lëshuar fletarrestim për Netanyahun nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës, enklavë palestineze.

Autoritetet polake kanë lënë të kuptohet se Netanyahu nuk do të përballej me arrestim nëse do të shkonte në Aushvic, por ai gjithsesi ka thënë se nuk do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore.

Përvjetori është gjithmonë një moment reflektimi mbi antisemitizmin. Ky vit, tha shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, ishte i “shfrenuar”.

Përmes një deklarate më 24 janar, ai tha se “hebrenjtë po përballen me rritje të frikësimit, kërcënimeve dhe dhunës fizike”.

Gjermania Naziste vrau afro 1.1 milion burra, gra dhe fëmijë në Aushvic në periudhën kohore 1940-1945. Afër gjysmë milioni nga ta ishin hebrenj. Viktima të tjera ishin romë, të burgosur politikë dhe të burgosur sovjetikë të luftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë