Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se autoritetet kanë arrestuar 16 persona, duke thënë se në mesin e tyre kishte edhe “oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë”.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se personat e ndaluar po vizitonin manastiret përreth Prizrenit.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla se ndalimi i tyre u bë gjatë një operacioni të zhvilluar më 5 dhe 6 prill, duke shtuar se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndara me targa nga Kragujevci, qytet në Serbi.
Grupi i parë, sipas tij, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Ndërkaq, 12 persona të tjerë u ndaluan në Prizren.
“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, shkroi Sveçla.
Sipas tij, grupit të parë të ndaluar në Gjakovë, ndal të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48-orësh, gjatë kontrollit të makinës me të cilin po udhëtonin iu gjetën “fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative”.
Për ndalimin e katër personave në Gjakovë ka raportuar edhe Policia e Kosovës, por edhe në njoftimin për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të mbajtur të dielën, është përmendur ky rast.
Sveçla, pretendoi se 12 personat e ndaluar në Prizren, “po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë”.
“Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, u shpreh Sveçla.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se personat e ndaluar kishin shkuar për të vizituar Seminarin Teologjik dhe manastiret përreth Prizrenit.
“Imagjinoni, disa nga këta persona janë edhe pjesëtarë të strukturave të sigurisë, dhe pastaj u kanë gjetur, thonë, një thikë dhe një sëpatë të thyer – është krejtësisht e qartë se nuk shërbejnë për asgjë tjetër, përveç për ndonjë përdorim privat dhe nevoja personale”, u shpreh Vuçiç më 6 prill.
“Dhe, kjo ju tregon çfarë terrori po vazhdon ndaj serbëve”, shtoi ai.
Udhëheqësi i Ministrisë së Brendshme të Kosovës, ndërkaq, deklaroi se bazuar në hetimet paraprake të organeve të rendit të Kosovës, një nga të ndaluarit është “konfirmuar se është zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor”, i cili, siç pretendoi Sveçla, “ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq, nofka ‘Gandi’”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.