Keshilla

Të jesh shumë mirënjohës në punë mund të ndikojë negativisht

Ju keni punuar shumë për të gjetur një punë të mirë, keni një shef të mirë dhe kolegët tuaj janë miqësorë. Paga juaj është e mjaftueshme për të paguar qiranë dhe faturat tuaja. Mund dhe thjesht të jeni të lumtur për punën në një periudhë ku shumë persona kanë mbetur të papunë për shkak të Covid-19.

Të jesh mirënjohës nuk është diçka e keqe, madje shumë psikologë e lidhin mirënjohjen me lumturinë më të madhe dhe në punë ndjenja e mirënjohjes mund të ketë shumë anë pozitive duke përfshirë nivele më të ulëta të stresit, më shumë emocione pozitive dhe kënaqësi më të madhe në punë.

Imazh ilustrues

Shpesh na kujtohet të shprehim mirënjohjen tonë në vendin e punës por në disa raste kjo mund të jetë në dëm tonin pasi kjo mund të mohojë “fuqinë” dhe aftësitë që ne kemi.

Jackie Mitchell, psikologe thotë se në përgjithësi njerëzit nuk duhet të jenë shumë mirënjohës në punë pasi kjo dëmton performancën dhe krijojnë një imazh ndryshe. Ky fenomen më shumë ndodh te gjinia femërore.

“Një problem kryesor është që nga mosha e re, ku femrat priren të ndihen mirënjohëse për pozicionin që kanë në punë kur pretendohet se meshkujt kanë më shumë mundësi.”

Në këtë moment, kolegët dhe të tjerët nuk e shohin kualifikimin dhe aftësinë e personit në fjalë pasi nga ana psikologjike shikohet sikur “është mirënjohëse sepse ka arritur diçka që nuk e meriton dhe nuk ka menduar se do e arrije”.

“Sjellje të caktuara mund të keqpërdoren dhe të kenë efektin e kundërt.” thotë Jackie.

Ndjenja e mirënjohjes mund të lidhet gjithashtu me “sindromën mashtruese”, një ndjenjë që ju bën të mendoni se nuk jeni aq të aftë dhe dyshoni në aftësitë tuaja, pavarësisht se shumë njerëz thonë ndryshe.

Shumë njerëz e përjetojnë sindromën mashtruese, por ekspertët kanë zbuluar prej kohësh që gratë kanë më shumë të ngjarë të vuajnë nga ajo më shumë.

Në një sondazh të 300 drejtuesve të lartë nga Universiteti Heriot-Watt në 2019, më shumë se gjysma (54%) e grave e përjetuan shpesh “sindromën mashtruese” krahasuar me një të katërtën e burrave. Sindroma mashtruese gjithashtu mund të prekë gratë më intensivisht në profesione të caktuara, veçanërisht në fushat ku ato janë të nënpërfaqësuara.

Kjo lloj ndjenje mund të ndikojë në frikën dhe pasigurinë tonë dhe kjo bën që shumë njerëz të shprehin mirënjohje ndoshta më shumë seç duhet.

Gjithashtu mirënjohja ka anë negative që lidhen drejtpërdrejt me interesat e tua. Për shembull, ka njerëz që marrin një rrogë shumë të ulët edhe pse meritojnë më shumë por nuk kërkojnë rritje thjesht sepse janë mirënjohës që të paktën kanë punën.

Mirënjohja lidhet dhe me postin që një njeri ka në punë. Një menaxher duhet të tregojë mirënjohje ndaj punonjësve pasi është një mënyrë për ti nxitur. Por diçka e tillë anasjelltas sjell anët negative që thamë më lart.

“Ne mund të shohim arritjet tona dhe t’i themi vetes dhe të tjerëve, se kemi bërë një punë të shkëlqyeshme dhe se meritojmë gjithçka që duam”, thotë Mitchell.

Të qenit mirënjohës e ka vendin e vet. Thjesht mos e teproni. Ju jeni duke merituar diçka sepse keni aftësi të jeni, të bëni ose të keni atë. Kur bëhet fjalë për vendin e punës, ju u zgjodhët për vlerën unike që sillni. Mos e minimizo këtë sepse je duke dhënë shumë mirënjohje, ti harron kush je.

Burimi: Yahoo Finance. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë