Kosova

Të hiqet ora policore dhe të lejohen festat, Oda e Hotelierëve të Kosovës i drejtohet qeverisë me 10 kërkesa

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës i është drejtuar qeverisë me disa kërkesa gjatë takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Oda e Hotelierëve ka kërkuar lejimin e punës për sallat e dasmave dhe klubet sipas manualit, heqjen e orës policore, zgjatjen e  afatit për uljen e TVSH% nga 18% në 8% të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme, fillimin e organizimeve të ahengjeve në bazë të manualit.

Gjithashtu kanë kërkuar të bëhet përkrahja financiare ndaj bizneseve, të bëhet subvencionimi i pagave të punëtorëve, të mbulohen shpenzimet e qirave për bizneset nga viti 2020-2021 që kanë punuar pjesshëm, të bëhet kompensimi i bizneseve që nuk kanë punuar fare gjatë kësaj kohe, dhe për të hyrë në lokale t’u kërkohet certifikata e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër Covid-19, testi RT-PCR negativ jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmia se personi ka kaluar Covid-19.

“Përfaqësuesit tanë përveç kërkesave që patën, u zotuan para kryeministrisë se nëse gjendet një alternativë që çdo biznes hoteliero/turistik të punojë njësoj pa u standardizuar, atëherë do të zotohen që do t’u bëjnë thirrje çdo pronari të biznesit e në veçanti pronarëve të sallave të ahengjeve të ndryshme për t’u kërkuar që në rast se duan të hapen dhe të punojnë do t’i respektojnë çdo masë e cila do të dalë nga qeveria e Kosovës, në të kundërtën do ta pësojë jo vetëm me dënim por edhe me mbyllje për një kohë të caktuar”, thuhet në njoftim.

Pas këtij zotimi Bislimi ka thënë se është i gatshëm që këto kërkesa t’i drejtojë tek këshilli ndërministror në mënyrë që të shqyrtohet mundësia për akomodimin e këtyre zotimeve nga OHTK.

“Ne mbesim në pritje të një përgjigje sa më të shpejtë, dhe shpresojmë në lajmin që edhe për sektorët e kufizuar deri më tani të ketë alternativë pune ashtu siç ka për të tjerët që veçëse e kanë filluar punën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë