Analize

Të gjithë skenarët e qeverisë së re: Kush do ta udhëheqë Kosovën?

Kush do ta qeverisë Kosovën për katër vitet e ardhshme dhe nën cfarë rrethanash do të formohet koalicioni i ri qeveritar në Prishtinë?

Pyetja kryesore e ekspertëve pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj ishte nëse Kosova do të kishte për herë të parë prej shumë vitesh një qeveri pa përfshirjen e PDK-së, duke i dhënë fund kështu edhe qeverisjes të të ashtuquajturit “krahut të luftës”, pra partive politike që kanë mbizotëruar në skenën politike të Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë,
Ky ka qenë në fakt edhe paralajmërimi i përfaqësuesve të opozitës por sinjalet e para tregojnë se formimi i koalicionit qeverisës do të jetë shumë i vështirë.

Pas mbylljes së qendrave të votimit në Kosovë janë publikuar edhe exit pollet e para, të cilat nxjerrin fituese Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sondazhet e Qendrës për Studime Humaniste "Gani Bobi" sygjerojnë që LDK-ja të ketë marrë 30% të votave, Vetëvendosja po ashtu 30%, PDK -ja 22.28%, AAK-PSD 10.58% dhe koalicioni NISMA-AKR-PD 4,4%. Po ashtu edhe RTK dhe Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, PIPOS, sapo kanë publikuar Exit Poll-in e tyre, duke nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje me 28.1 për qind të votave, e ndjekur nga LDK me 27.9 për qind dhe PDK me 25.8 për qind.

Me këto parashikime dhe duke pasur si referencë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovës, duket se asnjëra parti nuk do të arrijë që të sigurojë shumicën qeverisëse, as e vetme, madje as edhe me ndihmën e partive serbe. Kjo do të thotë se pas kësaj të diele, klasa politike në Kosovë do të përfshihet në bisedime të ethshme. Këto duket të jenhë zgjedhjet e para të jashtëzakonshme që nga pavarësia e Kosovës, ku është e vështirë të parashikohet se cilat parti do të bashkohen për të formuar qeverinë.

Lind pyetja: A do të dalë një shumicë, që të krijojë një koalicion, i cili nuk është si ky i tanishmi, me shumë parti?

Një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do t’u garantonte dy forcave kryesore opozitare mazhorancën qeverisëse, por të dyja partitë kanë përplasur deri më tani disa herë “brirët” për postin e kryeministrit.

Vjosa Osmani, kandidate për Kryeministre të Kosovës nga LDK dhe Albin Kurti, kandidat për Kryeministër i Vetëvendosjes. Gazeta Si

Si LDK, ashtu edhe Vetëvendosje i nisën negociatat e ngritjes së një koalicionit të mundshëm me kushtet e panegociueshme se i takonte posti i Kryeministrit. Gjatë bisedimeve, edhe mes vetë kreut të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa kjo pengesë nuk u tejkalua, megjithëse Kurti bëri një hap pas.
Kreu i Vetëvendosjes kishte propozuar në tryezë që dy partitë të hynin në koalicion me kandidatura të përbashkëta dhe pas zgjedhjeve, kandidati për kryeministër i secilës palë që kishte siguruar më shumë vota nga procesi i votimit të merrte postin e Kryeministrit. Propozimi nuk u pranua dhe Vjosa Osmani deklaroi se nuk do të hiqte dorë nga posti i kryeministres.

Analisti politik Jeton Kelmendi parashikon se loalicioni më i mundshëm, nëse VV-ja, të del subjekti i parë politik, do të jetë koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Por ai nuk përjashton edhe një kolacionin mes PDK-së së Kadri Veselit dhe LDK-së nëse kjo e fundit del fituese.

“Koalicioni më i mundshëm, nëse do të fiton VV-ja, të del subjekti i parë politik, do të jetë koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, por nëse del LDK-ja e para, koalicioni do të jetë LDK-PDK ose varianti tjetër LDK-AAK, PSD, NISMA dhe AKR për ti lënë në opozitë Vetëvendosjen dhe PDK-në”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Jeton Kelmendi mendon se edhe në rastin tjetër, nëse PDK-ja e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli del parti fituese dhe merr mandatin për të formuar qeverinë, pritet të zgjedhë LDK-në.

“Varianti tjetër i tretë, më pak i mundshëm është që nëse zgjedhjet i fiton PDK-ja sërish koalicioni do të ndërtohet mes PDK-së dhe LDK-së, kurse një koalicion AAK-PSD dhe NISMA nuk ka as gjasa teorike që të ndodh”, tha analisti.

Pra sipas Kelmendit, AAK-ja me PSD-në, mund të bëhen pjesë e qeverisë vetëm nëse fiton LDK si subjekt i parë politik.

“Një kombinimi i mundshëm mundë të jetë edhe koalicioni LDK- NISMA-AKR me AAK-në e Ramush Haradinaj dhe PSD, për ti lënë në opozitë PDK-në me VETËVENDOSJEN por gjasat janë që LDK-ja të preferojë të qeverisë me PDK-në”, thotë ai.

Në zgjedhjet e qershorit 2017, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma u rendit si subjekt i parë në zgjedhje me rreth 33 për qind të votave, ndërsa Vetëvendosje si forcë e dytë me rreth 27 për qind të votave. Por, as koalicioni dhe as VV nuk siguronte shumicën për të formuar qeverinë e re. Ramush Haradinaj, i nominuar si Kryeministër nga koalicioni i udhëhequr nga PDK u fut në bisedime me partitë e tjera dhe arriti që të marrë mbështetjen e Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit, e cila në votime kishte hyrë si pjesë e koalicionit me LDK.

Bisedimet zgjatën për më shumë se dy muaj dhe vetëm në shtator 2017 Ramush Haradinaj u betua si Kryeministër. Gjasat janë që të njëjtat sfida t’i dalin sërish përpara klasës politike kosovare pas 6 tetorit. Koalicioni që shihet më i mundshëm deri më tani duket ai mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, dallimi është se për ndryshim nga koalicioni parazgjedhor, koalicioni paszgjedhor do të kushtëzohet nga subjekti që do të dalë i pari në zgjedhje.

Sipas ligjit, kryetari i forcës që ka marrë mbështetjen më të madhe merr mandatimin për formimin e qeverisë së re nga Presidenti. Në mungesa të shumicës, kryetari nis bisedimet për aleancë. Pra, që të ndodhë një aleancë mes VV dhe LDK duhet që njëra mes tyre të dalë forcë e parë dhe më pas t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit forcës tjetër.

Por nuk është sekret që Albin Kurti nuk është i preferuari i ndërkombëtarëve, të cilët janë një tjetër faktor që duhet të marrim parasysh kur flasim për koalicionet e mundshme qeveritare. Atij i bashkohet edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka nxehur jo pak ndërkombëtarët duke mos pranuar të heqë taksën ndaj importeve serbe.

Ramush Haradinaj, Kadri Veseli Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Fatmir Limaj, Gazeta Si

Qeveria e deritanishme e Haradinaj ka punuar nën hijen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo i nxori në plan të dytë të gjitha temat e tjera politike. Veç kësaj marrëdhëniet mes qeverisë dhe presidentit ishin të rënduara për shkak të idesë së përqafuar për ca kohë prej tij dhe presidentit serb për ndërrimin e territoreve. Kjo bëri që të krijoheshin dy fronte: partitë e tjera nga njëra anë dhe PDK-ja e presidentit Thaçi nga ana tjetër, e cila kishte një pozicion të paqartë dhe jo të qëndrueshëm ndaj idesë së ndryshimit të kufijve. PDK-ja është partia që ka qenë që para pavarësisë dominante në Kosovë.

Eksperti i Ballkanit, Florian Bieber mendon se perspektiva e re e Kosovës do të varet vetëm e vetëm nga krijimi i koalicioneve. Këto zgjedhje, Bieber i sheh si të rëndësishme pavarësisht se po zhvillohen para kohe.

“Ndoshta janë zgjedhje që nuk do ta nxjerrin qartë në pah një drejtim të caktuar, se në radhë të parë bëhet fjalë për orientimin e brendshëm politik në Kosovë në të ardhmen, në kuptimin se sa do të jetë në gjendje të dominojë edhe më tej PDK-ja, partia që ka qenë që para pavarësisë dominante në Kosovë. Kjo është çështja që vendosin këto zgjedhje, ndërsa lidhur me temën e dialogut, Kosovë-Serbi, zgjedhjet ndoshta hapin perspektiva të reja, por nuk shoh ndonjë ndryshim të madh kursit. Nëse kjo bëhet, atëherë do të jetë më shumë si rezultat i krijimit të koalicioneve, se sa nga vetë zgjedhjet”, shprehet Bieber.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë