Lojëra me Dore

Të gjithë në pallat të sportit, për çupkat e Skënderbeut!

Fatjon Rupi – Ikën ato kohë, nuk vijnë më. Nuk vijnë më kohërat, kur në pallat të sportit nuk kishte ku të hidhje kokrrën e mollës. Fjali që e dëgjon nga gjithë nostalgjikët për lojërat me dorë para viteve 90’. Por ja që ato kohë vijnë… Në Korçë, të paktën, po.

Skënderbeu duke festuar me tifozët pas një trofeu të fituar. Gazeta Si, 1 maj 2022

Vijnë edhe në kohën e internetit dhe rrjeteve sociale, ku duket e pamundur t’i shkulësh të rinjtë nga baret dhe t’i çosh atje ku mund të provojnë emocionet dhe adrelinën që të fal sporti, në një pallat sporti. Mjafton një organizim i mirë klubi, një investim serioz, një përzgjedhje e mirë sportistësh nga njerëz profesionistë dhe ja, sërish pallati i sportit mbushet plot.

Në “Tamara Nikolla” të Korçës janë kthyer emocionet e mëdha, për të cilat flasin nostalgjikët, pse jo dhe më të bukura akoma, ndoshta me më shumë ngjyra. Në qytetin juglindor janë rikthyer kohërat e bukura, falë Skënderbeut të volejbollit për femra. Falë vajzave të rrjetës, të drejtuara nga trajneri Pandush Kapedani.

Mjafton të shohësh këto pamje për të kuptuar se çfarë kanë qenë emocionet e dikurshme të pallateve të sportit në vendin tonë. Korça tashmë e ka këtë fat dhe ata më të rinjtë me siguri tani u japin të drejtë atyre që deri pak kohë më parë flisnin me nostalgji për këtë pjesë.

Skënderbeu i rrjetës ka krijuar sezonin e fundit një ekip dominues, që fitoi titullin kampion. Me pasion dhe një organizim të mirë të klubit, me investimin e bashkisë së qytetit dhe një biznesi privat, ‘Vila Lako’, është bërë i mundur ndërtimi i një ekipi shumë të fortë. Një grup vajzash nga Korça, me në krye kapitenen Elena Bego, i miksuar mjaft mirë me 5 volejbolliste të huaja, të cilët bëjnë vërtet diferencën.

Trajneri Kapedani: Vajzat korçare tani kanë një model
Trajneri Pandush Kapedani, duke folur për Gazeta Si, nuk e fsheh entuziazmin e madh për atë që po bën ky Skënderbe. “Më takoi mua t’i jap atë dorën e fundit, atë të zbukurimit po themi, këtij ekipi të mrekullueshëm. Sinqerisht, falënderoj ata që kanë punuar me këtë ekip para meje, pasi unë nuk kam shumë kohë që e kam marrë drejtimin e Skënderbeut.

Ekipi i Skënderbeut, trajneri Kapedani dhe drejtuesit e klubit. Gazeta Si, 1 maj 2022

Është një ndjenjë e papërshkruar të shohësh pallatin e sportit në Korçë të mbushet plot me tifozë. Nuk e kisha parë kështu që në vitin 1990, kur luhej Skënderbeu-Dinamo në volejboll meshkujsh. Janë më shumë se 32 vjet dhe për ne nuk ka emocion më të madh. Investimi është serioz dhe ekipi është vërtet me kualitet.

Mua më vjen mirë që shoh kaq shumë tifozë, vajza të reja dhe gra që vijnë në pallat të sportit. Shumë prej tyre mund të frymëzohen nga ky ekip për të nisur rrugën e volejbollit. Tashmë kanë një model për të ndjekur. Pse? Sepse në sport thuhet shpesh: Po mirë, po kujt do t’i ngjaj? Tani thonë ‘do të bëhem si Elena, si Nastia’ e kështu me radhë. Sepse i kanë këtu, i shohin me sytë e tyre”.

Përveç vajzave korçare, një rol të rëndësishëm në këtë ecuri të ekipit kanë volejbollistet e huaja, që kanë rezultuar blerje të goditura. Trajneri Kapedani për këtë pjesë thotë: “Një sukses i ‘importuar’? Po, por është i bukur edhe kështu. Te Skënderbeu janë 5 volejbolliste të huaja, sportiste me nivel të lartë, shumë profesioniste dhe po e ndihmojnë shumë ekipin bashkë me gjithë të tjerat për të arritur objektivat”.

Trajneri Pandush Kapedani dhe ish-trajneri Besnik Lisha. Gazeta Si, 1 maj 2022

Trajneri i njohur korçar flet edhe për titullin kampion dhe sipas tij, më e bukura është duke ardhur: “Kemi fituar ndeshjen e parë finale me Tiranën. Në Korçë mezi po presin datën 4 maj, kur luhet ndeshja e tretë. Nëse fitojmë edhe të dytën në Tiranë, ju them me bindje se në të tretën do të na dyhen dy pallate sporti, jo një, do të na duhet një stadium për tifozët. Janë emocione shumë të mëdha, një atmosferë e rrallë”.

Gjatë këtij sezoni Skënderbeu ka fituar Kupën Gjergj Kastrioti. Tiranën e ka mundur dy herë në kampionatin e rregullt dhe një herë tani në fazën finale, por ka edhe një humbje me këtë kundërshtar në Kupën e Shqipërisë.

Kapitenja Bego: Emocione të rralla, përgjegjësi e madhe
Skënderbeu ka në përbërje disa lojtare korçare, disa prej tyre titullare, pogradecaren Paola Gjata, nga Barleti Volej ka afruar Stela Agollin, si dhe 5 volejbolliste të huaja: janë dy ruset Anastasija Atepalina dhe Ksenia Kurierova, bjellorusja Daira Auramçuk, maqedonasja Ana Fasuleva dhe polakja Karolina Ana Szmigielska. Sezonin e nisi trajneri shkodran Besnik Lisha, ndërsa tani këtë post e mban Kapedani.

Elena Bego, kapitene e skuadrës, tregon për Gazeta Si si po përjetohet ky moment magjik në ekip dhe në qytet. “Investimi ka filluar që sezonin e kaluar, në fakt, ndërsa këtë vit kemi një ekip më të fortë. Jemi stërvitur shumë, kemi punuar shumë, është një sezon i gjatë dhe i lodhshëm, por edhe shumë i bukur njëkohësisht. Nuk e kishim menduar se do të vinte një moment, që të shikonim në pallat sporti kaq shumë njerëz.

Elena Bego, kapitene e Skënderbeut. Gazeta Si, 1 maj 2022

Më parë na ndiqnin vetëm familjarët tanë dhe ndonjë tifoz, tani mbushen shklallët plot. Është shumë bukur të shikosh gra e fëmijë që bëjnë tifozllëk për ne. Është po ashtu edhe një faktor, që na ngarkon me një përgjegjësi shumë të madhe për t’i bërë tëlumtur këta njerëz. Në Korçë volejbolli ka interes dhe më vjen mirë që kemi arritur në këtë pikë. Ka edhe skuadra të tjera të forta, por Skënderbeu ka bërë më mirë.

Jemi një grup shumë i mirë volejbollistesh. Sportiste të huaja ka në çdo ekip. Ne kemi arritur të bëjmë atë përshtatjen e duhur dhe të huajat janë lojtare që kanë ardhur te Skënderbeu për të bërë diferencën. Shpresojmë që të mbyllim sa më shpejt çështjen e titullit dhe uroj që këto emocione t’i përjetojmë sa më gjatë”.

Kapitenja Bego ngre lart trofeun e Kupës Gjergj Kastrioti. Gazeta Si, 1 maj 2022

Skënderbeu, nëse shpallet kampion, nuk do të mungojë në kompeticionet europiane, siç ka ndodhur me disa ekipe vitet e fundit për shkak të mungesës së financave. Vajzat korçare kanë marrë garanci për të luajtur në Europë, ku me pak fat mund të bëjnë edhe aty diçka të bukur. Dhe atëherë, siç thotë profesor Kapedani, me siguri do të duhen dy pallate sporti për tifozët korçarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë