Është çështja më e rëndësishme e ditëve të fundit në Itali dhe nga sporti po shkon drejt një ballafaqimi politik. Koret raciste të tifozëve të Inter kundër mbrojtësit të Napolit Kalidu Kulibali kanë hapur një temë, që nga të gjithë po cilësohet si plaga e vërtetë e futbollit italian. Mbrojtësi francez me origjinë afrikane nuk do të jetë në fushë për ndeshjen e kësaj të shtune mes Napolit dhe Bolonjës për shkak të kartonit të kuq, por tifozët dhe lojtarët e “të kaltërve” kanë menduar një zgjidhje origjinale, për mos ta ndjerë mungesën e tij.

Të gjithë tifozët në “San Paolo” do të kenë para fytyrave të tyre portretin e mbrojtësit Kalidu Kulibali. Sipas medieve italiane pritet një stadium që të mbushet si rrallë herë për një ndeshje kampionati dhe i gjithi do të ketë një fytyrë, atë të Kulibali. Por gjithashtu edhe në stadiume të tjera gjatë ndeshjeve të sotme pritet të ketë mbështetje masive për Kulibali, duke përdorur maskën e tij.
Përveç tifozëve pritet që me maskë të zbresin në fushë edhe lojtarët e Napolit. Lojtarët dhe klubi kanë rënë dakord për këtë gjest, por për ta vënë në zbatim këtë gjë do duhet edhe një aprovim nga Federata Italiane e Futbollit. Pritet që orët e para të pasdites do të kuptohet nëse Federata do i lejojë futbollistët e Napolit që në fushë të zbresin me maskën e Kulibali në fytyrë.

Rasti më i fundit i racizmit ndaj Kulibali ka shkaktuar një reagim të madh për shkak se ndaj këtij futbollisti është një rast i përsëritur, por edhe duke e lidhur me ngjarjen tjetër tragjike, ku gjatë një përleshje mes tifozëve të Napolit dhe Interit, ndërroi jetë një 35-vjeçar. Masat për skuadrën e Inter kanë qenë të ashpra, ku në dy ndeshje do të luaj pa tifozë, ndërsa në tre të tjera sektori i mbështetësve ultras do të jetë i mbyllur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




