Futboll

Të gjithë kundër Donarumës, sulme nga tifozët dhe shtypi për gafën e radhës

Gazeta Si – Gabimi i tij i dhuroi Bajernit një fitore shumë të rëndësishme për kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Një gabim, që mediet dhe tifozët nuk ia falin portierit italian.

Xhixho Donaruma përfundon sërish në qendër të polemikave. Portieri i PSG-së është i akuzuari kryesor për humbjen ndaj Bajernit. Goditja e Komanit në rastin e golit të fitores së barvarezëve nuk ishte e pandalshme, por reagimi i italianit nuk ishte ai i duhuri.

Moment nga goli i Koman ndaj Donarumes. Gazeta Si, 15 shkurt 2023

Një gafë që zhvlerësoi një sërë pritjesh të mëdha të Donarumës. Tifozët parisienë e kanë fyer në rrjetet sociale pas ndeshjes, ndërkohë që edhe shtypi francez ka qenë i ashpër me portierin.

Vitin e kaluar me Realin dhe këtë vit me Bajernin. Gabimet e Donarumës po i kushtojnë shumë PSG-së, që rrezikon sërish eliminimin nga Championsi. ‘L’Equipe’ e ka vlerësuar me një 4 paraqitjen e ish-portierit të Milanit: “PSG nuk kishte nevojë për një gabim në një ndeshje të tillë, ai e bëri në rastin e golit të Koman, duke lejuar topin të kalojë poshtë barkut, kur e kishte mes duarve”.

Kritika për Donarumën edhe nga ‘Le Figaro’: “Nuk ishte në lartësinë e duhur, nuk garanton atë qetësinë që pritet prej tij në këto nivele”. ‘Le Parisien’ nuk e kritikon shumë portierin, por evidenton edhe pritjet shpëtimtare të tij, që e lejojnë PSG-në ende të shpresojë për kualifikimin. Kjo e përditshme thekson se e gjithë skuadra duhet të ndryshojë regjistër, jo vetëm Donaruma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë