Nga Gazeta ‘Si’– “Ethet” e listës kanë mbërthyer Partinë Socialiste, me kryeministrin Edi Rama që në mbledhjen e sotme të grupit ka tentuar të sqarojë mënyrën se si do të bëhet ndarja e kandidatëve për deputet.
Pas takimeve intensive me drejtuesit politikë të qarqeve, Rama u komunikoi të vetëve se në këto zgjedhje do të ketë një reformim të grupit socialist.
Lideri i PS nënvizoi se asnjë deputet, burrë apo grua, që ka fituar një mandat në legjislaturat e shkuara, nuk do të jetë pjesë e listës së mbyllur.
“Cilado/cilido prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet t’ia bëjë me dije drejtuesit politik. Parimi themelor i listës së re, do jetë asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat nga PS, nuk do jetë në listën e mbyllur. Kushdo që për arsye të ndryshme nuk dëshiron të jetë në listë të hapur ta thotë, por ta thotë para. Sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe nga PS”, deklaroi Rama.
Në vijim, shefi i ekzekutivit shpjegoi edhe arsyen pse ka vendosur që drejtuesit politik të qarqeve të garojnë në listë të mbyllur, duke e pasur të sigurt vendin në Parlament edhe për 4 vitet e ardhshme.
Sipas Ramës, kjo do të krijonte pabarazi në garë dhe do ta zhvendoste fokusin e tyre te sigurimi i votave personale, kur në këtë garë për PS e rëndësishme është puna për skuadrën.
“Patjetër që në listën e hapur do të ketë edhe plotë të rinj dhe plotë të reja. Unë e kam thënë dhe e kam shprehur se drejtuesit politik duhet të jenë në listën e hapur. Problemi është se kjo do të prishte të gjithë procesin pasi nuk do të lejonte asnjë barazi shansesh në garë dhe nuk do garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të garës nga ana jonë.
Pasi drejtuesit politik do të ishin të fokusuar për të marrë vota për vete dhe me një status më të veçantë do të krijonin pabarazi vetvetiu dhe do të çorientohej e gjithë skuadra. Skuadra duhet të jetë kompakte dhe duhet të ketë drejtues politikë, të cilët do të garantojnë që të gjithë deputetë në garë të kenë hapësirë sa më të barabartë. Dhe asnjë drejtues politik nuk duhet të futet në preferenca se kë duhet të votojnë anëtarët e PS dhe qytetarët”, sqaroi kreu i PS.
Kryeministri Edi Rama lajmëroi se edhe gratë socialiste që kanë një mandat deputeteje do të jenë në fushën e betejës për vota te lista e hapur, ku do garojnë me gra të tjera, pasi gara do jetë e barabartë sipas kryesocialistit, edhe me burrat.
Ai theksoi se ky ‘transfuzion gjaku’ i partisë është i nevojshëm sepse aftësia e tyre për të ndryshuar edhe brenda vetes dhe rigjeneruar partinë me të rinj, i ka mbajtur “në kalë” që nga 2013, si ADN-ja e socialistëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




