Gazeta Si – Një 28-vjeçar është arrestuar, pasi u kap duke transportuar 17 emigrantë të paligjshëm, të cilët ishin fshehur mes kashtës të ngarkuar në karrocerinë e kamufluar të automjetit, me qëllim shmangien e kapjes.
Sakaq u vunë në pranga edhe 2 bashkëpunëtorët e tij, të cilët kontrollonin rrugën me një automjet tjetër, për të shmangur shërbimet e Policisë.
Njëri nga këta shtetas, pas kapjes në flagrancë, kallëzoi me identitet të rremë në polici, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
“Si rezultat i operacionit policor “Perimetri 200” u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: D. K., 28 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq; B. K., 37 vjeç, banues në fshatin Dunicë, Pogradec; A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq (me masë sigurie “Arrest në shtëpi”). “ njofton policia.
Policia, në afërsi të rezervuarit të fshatit Blacë, Pogradec, bënë të mundur kapjen e shtetasit D. K., që drejtonte automjetin furgon tip “Ford”, në karrocerinë e kamufluar të të cilit u gjetën 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës 1000 euro për person, iu ishte premtuar transportimi në drejtim të Tiranës dhe më pas drejt vendeve të BE-së.
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi B. K., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me pasagjer shtetasin A. B., monitoronte rrugën, për të sinjalizuar 28-vjeçarin, në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë, në rrugë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




