Shendet

Të flasësh dy gjuhë që në moshë të re mund të parandalojë demencën

Studimi sugjeron se dygjuhësia që në moshë të re, mund të ngadalësojë rënien njohëse tek të moshuarit dhe t'i mbrojë ata nga sëmundje neurologjike

Gazeta Si – Të flasësh dy gjuhë, të ofron mundësinë për të bërë miq dhe për të punuar pothuajse kudo, veçanërisht nëse gjuha e dytë është anglishtja.

Por tani, një studim i ri sugjeron se dygjuhësia mund të ketë edhe një përfitim tjetër: përmirësimin e kujtesës në jetën e mëvonshme.

Duke studiuar qindra pacientë të moshuar, një grup studiuesish gjermanë zbuluan se ata që raportuan se flisnin dy gjuhë çdo ditë që në moshë të re, shënuan rezultate më të larta në testet e të mësuarit, kujtesës, gjuhës dhe vetëkontrollit, sesa pacientët që flisnin vetëm një gjuhë.

Gjetjet, të botuara në numrin e prillit të revistës “Neurobiology of Aging”, i shtohen dy dekadave të punës mbi këtë temë dhe sugjerojnë se dygjuhësia mbron nga çmenduria dhe rënia konjitive në jetën e mëvonshme.

Studimet jo gjithmonë të qëndrueshme

Vitet e fundit, shkencëtarët kanë fituar më shumë njohuri rreth dygjuhësisë dhe trurit të plakur, megjithëse jo të gjitha gjetjet e tyre kanë qenë të qëndrueshme.

Disa kanë zbuluar se nëse njerëzit që flasin rrjedhshëm dy gjuhë zhvillojnë demencë, ata do ta bëjnë këtë në një moshë më të madhe sesa njerëzit që flasin vetëm një gjuhë. Por hulumtime të tjera nuk kanë zbuluar ndonjë përfitim të qartë të dygjuhësisë.

Neuro-shkencëtarët spekulojnë se për shkak se njerëzit që flasin dy gjuhë ndërrojnë gjuhët rrjedhshëm, ata mund të jenë në gjendje të zbatojnë strategji të ngjashme në situata të tjera, të tilla si kryerja e shumë detyrave, menaxhimi i emocioneve dhe vetëkontrolli, të cilat ndihmojnë në vonimin e demencës kur kalon me moshën.

Sipas një studimi të botuar në “Nature Neuroscience” në 2018, dygjuhësia krijon një rezervë njohëse që mbron nga Alzheimeri.

Një punë e vitit 2017, kishte nxjerrë në pah sesi dygjuhësia është në gjendje të kursejë burimet e trurit: mendja e atyre që flasin dy gjuhë, mëson të përqendrohet më shumë dhe më mirë dhe të kursejë burime njohëse, duke përfaqësuar kështu një avantazh gjatë plakjes.

Studimet mbi dygjuhësinë janë fokusuar shpesh tek fëmijët: të flasësh dy gjuhë, duket se lidhet me marrjen e vendimeve më shpejt.

Studimi i ri

Studimi i ri, me një numër shumë të madh, mori në shqyrtim 746 njerëz të moshës 59-76 vjeç. Rreth 40% e vullnetarëve nuk kishin probleme me kujtesën, ndërsa pjesa tjetër ishin pacientë që kishin përjetuar konfuzion ose humbje të kujtesës.

Të gjithë iu nënshtruan testeve të ndryshme: fjalor, kujtesë, vëmendje dhe llogaritje.

Për shembull, atyre iu kërkua të kujtonin objektet e emërtuara më parë, të shkruanin fjalët mbrapsht, të ndiqnin komandat me tre pjesë dhe të kopjonin vizatimet që u treguan.

Vullnetarët që raportuan se flisnin një gjuhë të dytë çdo ditë midis moshës 13 dhe 30 vjeç ose midis moshës 30 dhe 65 vjeç, shënuan rezultate më të larta në gjuhën, kujtesën, përqendrimin, vëmendjen dhe aftësitë vendimmarrëse sesa jo-dygjuhëshët në ato mosha.

A ndikon mosha në të cilën mësohet një gjuhë të dytë?

Sipas “Boon Lead Tee”, një neuroshkencëtar në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, i intervistuar nga “New York Times”, hetimi i dygjuhësisë në faza të ndryshme të jetës është një kriter shumë interesant.

Ai shtoi se, falë madhësisë mbresëlënëse të kampionit, autorët e studimit mund të jenë në gjendje të gjenerojnë gjetje të tjera të reja, të tilla si nëse mosha në të cilën një person mësoi secilën gjuhë, ndikoi në aktivitetin njohës më vonë në jetë.

Megjithatë, studimi u fokusua vetëm në një aspekt të dygjuhësisë: përdorimin e përditshëm të dy gjuhëve për periudha të gjata kohore.

Efektet pozitive në aktivitetin njohës, mund të jenë për shkak të faktorëve të tjerë si mosha në të cilën dy gjuhët ishin të koduara në kujtesë, lloji i popullsisë ose përvojat e jetës së dygjuhëve.

Ekspertë të tjerë ranë dakord se rezultatet mund të ishin të ndryshme nëse studiuesit do t’i pyesnin vullnetarët nëse ata flisnin një gjuhë të dytë një herë në javë, apo edhe më rrallë, në vend të çdo dite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë