Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi është kthyer në arenë debati për arrestimin e kryebashkiakut socialist të Tiranës, Erion Veliaj.
Që në nisje të seancës plenare, ku mungon kryeministri Rama, kreu i PD Berisha foli për arrestimin e Veliajt duke thënë se kjo “është damkosja përfundimtare e Ramës.”
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Berisha, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të shkojë në Kuvend për të zhvilluar një debat të gjerë lidhur me arrestimin e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Berisha kërkoi gjithashtu që Rama të japë dorëheqje.

“Kjo ishte një ditë e madhe për shqiptarët…Harrojnë këta që ka një Zot në këtë vend, që opozita do bëje betejën e vet deri në fund. Koha juaj ka mbaruar, prandaj Rama të vijë këtu, të ketë një debat të gjerë dhe të japë dorëheqjen në mënyrë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve”, tha Berisha.
Ai e quajti Erion Veliajn vegël të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij, qëndron në krye të piramidës së krimit.
Ish-kryeministri shtoi se ishte në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe tha se koha e qeverisjes së PS kishte përfunduar.
“Tani mos bëni kështu, se unë me fjalën time nuk u arrestoj juve. Juve iu ka hyrë frika deri në palcë dhe mendoni se do u arrestojë Sali Berisha në Parlament. Jo more jo. Unë po mbroj interesat e qytetarëve shqiptarë, që i keni shkelmuar në mënyrë të tmerrshme. Po po, por koha juaj mori fund. Unë erdha, është radha jonë”, tha Berisha në Kuvend,
Kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali, i ndërpreu fjalën kreut të PD-së Sali Berisha, pasi i kishte përfunduar minutazhi.
Ka qenë Albana Vokshi që i ka dhënë 10 minutat e saj, Berishës, dhe për këtë kreu demokrat i është drejtuar Spiropalit duke i thënë të kënaqet për herë të fundit, duke shtuar se do të përfundojë si Erion Veliaj, pas hekurave.
Në përgjigje Spiropali i tha se nëse nuk do të kishte qenë kryetare e Kuvendit, do të kishte folur ndryshe.

Debati:
Spiropali: Kohën e kujt do marrë Berisha?
Vokshi: Kohën time.
Spiropali: Sa minuta?
Vokshi: 10 minuta.
Spiropali: Albana Vokshi nuk flet.
Berisha: U kënaqe që nuk flet Albana Vokshi. Ke të drejtë të kënaqesh edhe ti njëherë për herë të fundit. Se te Erioni do shkosh dhe ti, mos ki merak.
Spiropali: Mos përfito që jam këtu lart doktor se ta ktheja përgjigjen ndryshe, siç ta kam kthyer. Kaq. Po të jap kohën, mos abuzo me kohën sepse nuk të takon. More nga koha e Albana Vokshit.
Berisha: Pëllumbesha më lër të flas tani, mos mi merr minutat.
….
Edhe deputetja e PD Ina Zhupa, teksa u ndal tek arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, tha se PS sot është në ditën më të keqe.
Sipas Zhupës, ky është fati i atyre që nuk punojnë për vendin.
‘Sot jeni në ditën më të keqe, është fillimi i fitores së 11 maj dhe Berisha do jetë në krah të zyrtareve amerikanë, duke lartësuar emrin e vendit. Një nga një të gjithë ata që i kishit më afër kryeministrit si Lali Eri tashmë janë ose në arrati ose në paraburgim ose në burgim. Ky është fati i atyre njerëzve që nuk punojnë për shqiptarët, por për të pasuruar veten dhe familjen e tyre. E tha me ironi njëri nga ju këtu që ‘nuk është radhë kosi apo qumështi’ po është radha e shqiptarëve’, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.