Politike

Të enjten Rithemelimi protestë para Kuvendit pas investigimit të Rai3, Berisha: Duhet qeveri teknike

Të enjten e 6 qershorit, PD e Rithemelimit ka paralajmëruar protestë para Kuvendit.

Tubimi pritet të nisë rreth orës 10:00, atëherë kur fillon edhe seanca parlamentare.

Protesta thirret pas emisionit investigativ ‘Report’ të transmetuar të dielën në Rai3, ku televizioni italian hidhte akuza për lidhje të qeverisë me krimin.

Protesta do të zhvillohet paralelisht si brenda ashtu edhe jashtë saj. Deputete brenda do të mbajnë fjalime për investigimin e Rai3, ndërsa qytetarët dhe zyrtarë të tjerë të Rithemelimit do të protestojnë para godinës.

Të njëjtën thirrje ka përcjellë edhe Sali Berisha.  

“Qytetarë dhe qytetare, ju bëj thirrje ditën e enjte në orën 11:00, të grumbullohemi para parlamentit të krimit për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të narkoshtetit shqiptar, Edi Rama.

Kalimin në një qeveri teknike dhe natyrisht zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Beteja jonë për largimin e të keqes së madhe që quhet Edi Rama, është betejë për jetë a vdekje, për të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë, integrimin europian të Shqipërisë. Ndaj dhe ftoj shqiptarët të lënë çdo gjë, të mblidhemi para parlamentit në orën 11:00 të enjten. O sot o kurrë”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë