Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të enjten( 24 shkurt) në seancën e rregullt plenare ku në qendër të diskutimeve do të jetë dialogu Kosovë-Serbi.
Për këtë proces, dy partitë opozitare, PDK dhe AAK adresuan kritika ndaj qeverisë Kurti për mostransparencë në dialogun me Serbinë dhe i kërkuan qartësim të strategjisë për dialogun.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i gupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se çfarëdo draft-marrëveshje që mund të nënshkruhet nëpërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë të informuar të zgjedhurit e popullit.
“Dialogun me Kosovën nuk duhet ta shohim si axhendë për përplasjet tona politike ditore. Mirëpo qeveria e Kosovës është shumë jo transparente në këtë proces. Sot ne si deputetë dhe qytetarë, dimë pak për angazhimin e qeverisë në këtë drejtim. Andaj po e them edhe njëherë se unë nuk mund të flas për draftin e mundshëm të një marrëveshje që nuk e kemi parë.
Do të shohim të ardhmen, nëse qeveria do të ndajë diçka me deputetët e Kuvendit para se të ndodhin takime të tilla”,tha ai.
Qartësim më të madh në raport me dialogun kërkoi dhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Është tepër e rëndësishme që në këtë fazë të qartësohen gjërat,strategjia dhe qasja që ka Kosova karshi këtij dialogu.Për ne është me rëndësi që dialogu të kalojë në një etapë tjetër që nënkupton përmbylljen e një procesi tepër të gjerë, pasi nuk shihet se ka pas përfitim Kosova dhe duke arritur marrëveshje finale, ligërisht të obligueshme që të jetë njohja reciproke”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




