Politike

Të dielën zgjedhje në Himarë, Tavo bën thirrje për bashkim, Gjikuria kërkon votat me emrin Belerit

Të dielën në Himarë do të mbahën zgjedhjet për kryebashkiakun. Në zgjedhjet e kaluara vendore (2023) kandidati fitues Fredi Beleri u arrestua 48 orë përpara votimit, duke u bërë kandidati i vetëm në historinë e zgjedhjeve shqiptare që zgjidhet kryetar bashkie duke qenë në arrest në burg. Ai vijon të mbetet në burg si i dënuar me vendim të formes së prerë për korrupsion në zgjedhje. Pas heqjes së mandatit të tij nga KQZ, Himara hapi procedurat për zgjedhjet e reja.  Beleri kërkoi lirimin me kusht nga gjykata duke përmendur si shkak zgjedhjen e tij si eurodeputet, por shumëkush brenda thashethemeve të politikës e interpretoi se përpjekje për të bërë fushatë në Himarë.  

Në garën për Himarën janë dy kandidatë ‘të importuar’ njëri përfaqësues ndër vite i Dropullit që së fundmi ishte Prefekt i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo dhe tjetri i ardhur nga SHBA, Petro Gjikuria. Ditën  e fundit të fushatës zyrtare, Tavo dhe Gjikuria paralajmëruan shumëcka mbi mënyrën se si do të punojnë në rast fitoreje.

“4 gushti është një mundësi për të na bashkuar. Ne do punojmë së bashku në shërbim të Himarës. 4 gushti nuk është thjesht zgjedhje por zgjidhje për të gjitha shqetësimet dhe nevojat tuaja.

Unë ju premtoj se pas 4 gushtit Himara do ketë avokatin e vet në të gjitha institucionet shtetërore, e më tej.

Si kryetar i Bashkisë, unë ju zotohem se Bashkia e Himarës do jetë Bashkia juaj. Dhe dera e zyrës sime do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë ju.

Një e ardhme më e mirë, më e paqtë, më e bashkuar dhe më e begatë, na pret përpara për Himarën.

Ju jam mirënjohës për mbështetjen tuaj’, përcolli shkurt përmes një video-mesazhi Vangjel Tavo pas një dite takimesh me kryeministrin Edi Rama në krah.

Kandidati i opozitës për zgjedhjet në Himarë në 4 gusht, Petro Gjikuria përmbylli fushatën përmes një tubimi në shesh me Flamur Nokën në krah.

Në fjalën e tij ai tha se arrestimi i Fredi Belerit, është një njollë e zezë. Ai po ashtu shtoi se pas dy muaj Beleri do lirohet, ndërsa Himara do të çlirohet në 4 gusht.

“Çfarë i ndodhi mikut tim Fredi Beleri është një njollë turpi. Fredi do lirohet për dy muaj, ndërsa Himara do çlirohet në 4 Gusht”, u shpreh kandidati i opozitës.

Gjikuria hodhi akuza edhe ndaj kundërshtarit, Vangjel Tavo, duke e cilësuar kandidat të importuar që nuk e lidh gjë me Himarën.

“Himarës i ofrohet një model i çuditshëm qeverisjeje. Sjellin një kandidat të importuar, që nuk e lidh gjë me Himarën e himariotët”, deklaroi ai.

Gjikuria kërkoi votën e qytetarëve për të sjellë siç tha ai ndryshimin e merituar në Himarë.

Jane 36 qendra votimi në Himarë qe do të hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në 19:00 te dielen.

 Materialet zgjerdhore kanë mbërritur në Himarë një ditë më parë, ndërsa KQZ do të bëjë shpërndarjen e tyre orët e para të mëngjesit.

Në Himarë do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë edhe numërimi i votave.

Pasqyra me votat

tabela e zgjedhjeve nder vite ne Himare

Partia Demokratike pretendon se në këto zgjedhje janë shtuar 311 votues të rinj pa arsye me qëllim favorizimin e Vangjel Tavos, ndërsa zgjedhjet e kaluara u votua me 8 zgjedhës më pak se ato paraardhëse. Për këtë shtim të votuesve, ka një kallëzim në SPAK nga Petro Gjikuria ndaj Vangjel Tavos

Fitorja e Belerit në zgjedhjet e fundit ndaj Goros ishte me vetëm 19 vota diferencë    


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë