Kosova

Të dielën zgjedhje lokale në Kosovë, fushatë “digjitale” prej pandemisë, gjuha mes kandidatëve e qetë

Në Kosovë kjo e shtunë është heshtje zgjedhore.

Partitë politike kanë mbyllur fushatën që filloi më 16 shtator dhe përfundoi mbrëmjen e së premtes, ora 24:00.

KQZ-ja ndërkohë ka miratuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021, ndërsa numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues.

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban: 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Ndërkohë, përmes një konference për shtyp, misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, njoftoi se tridhjetë ditët e fushatës zgjedhore treguan se mënyra tradicionale e të bërit fushatë me tubime të mëdha, është eklipsuar nga fushata dixhitale.

“Transformimin dixhitale të fushatës padyshim e imponuan masat kufizuese anti-COVID, por edhe fakti që platformat ‘online’ ofruan një potencial shumë më të madh, më efikas e më ekonomik në arritjen e masave dhe votuesve. Platformat “Facebook” dhe “Instagram” janë shfrytëzuar masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe për ata për kuvendet komunale për plasim të informatave, shpalosje të ofertave programore, shpalosje të aktiviteteve e thirrjeve për votim. Ndonëse shumica dërrmuese e këtyre postimeve ishin të sponsorizuara, transparenca për koston financiare të fushatave dixhitale mungon”, u tha gjatë konferencës

Misioni vëren gjithashtu se gjatë fushatës ka pasur oferta të qarta programore, një pjesë e madhe e së cilave kanë qenë të qasshme për publikun.

“Debatet televizive janë organizuar me kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave me shumicë shqiptare, ndërsa debatet kanë munguar në komunat me shumicë serbe. Po ashtu, debate janë zhvilluar edhe në mes të kandidatëve për kuvendet komunale, duke përfshirë bartësit e listave, si dhe në disa raste vetëm me kandidatet gra për kuvendet komunale. Forma e organizimit të debateve televizive, me pjesëmarrje të shumë kandidatëve dhe diskutimit të temave të ndryshme në një periudhë të kufizuar kohore, nuk ka mundësuar elaborim të programeve nga kandidatët apo “përballje” përmbajtësore të pikëpamjeve midis tyre”. Fushata përgjithësisht është karakterizuar me një gjuhë të relaksuar mes kandidatëve, pa ndonjë rast serioz të përdorimit të gjuhës së urrejtjes mes kandidatëve. “Megjithatë, gjatë ditëve të fundit ka pasur një tendencë të ashpërsimit të gjuhës mes kandidatëve, por që ka mbetur në suaza të rasteve të izoluara”, thuhet në raportin e vëzhguesve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë