Gazeta Si – Të dhëna shqetësuese për trajnerin e Italisë, Luçiano Spaleti, të dhëna pozitive për Shqipërinë, që Europianin e Gjermanisë e nis pikërisht me ‘axurrët’. Vetëm një italian në listën e golashënuesve më të mirë të Serisë A.
Në sezonin që të çon në Euro 2024 në Gjermani, kampionati italian propozon statistika, që mund të ndikojnë në kualitetin e kombëtares, në grup me Shqipërinë, Spanjën dhe Kroacinë. Në 10-shen më të mirë të shënuesve të Serisë A, i vetmi italian është Domeniko Berardi, me 9 gola dhe 5 prej tyre me penallti.
Me Europianin në sfond, mungesa e golave italianë dhe e qendërsulmuesve të Italisë, është shqetësuese. Spaleti vendos para të gjithëve Raspadorin dhe Skamakën. I pari ka luajtur vetëm 8 ndeshje titullar me Napolin dhe ka shënuar 3 gola, i dyti ka shënuar 5 gola me Atalantën, pasi është kushtëzuar edhe nga dëmtimi.
Spaleti pëlqen edhe Kean, i cili dy ndeshje para mbylljes së fazës së parë është në kuotën e 0 golave. Vetëm 6 ndeshje si titullar me Juventusin. Imobile, prapa në zgjedhjet e trajnerit, ka shënuar 4 gola në 16 ndeshje, vetëm 1 me aksion. Në fund Retegui me 3 gola.
Situatë e vështirë edhe për faktin se zgjedhjet e klubeve nuk e ndihmojnë trajnerin e kombëtares. Në Serinë A deri tani janë aktivizuar 506 lojtarë, vetëm 175 prej tyre (34.5%) janë italianë. Klubet me më shumë lojtarë italianë janë Monca, Kaljari, Empoli dhe Frozinone. Një kampionat shumëkombësh, me vetëm 3 italianë në 27 lojtarë të aktivizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.