Gazeta Si – Katër apartamente në Elbasan me vlerë 300 mijë euro janë konfiskuar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pasi dyshohet se buronin nga aktiviteti kriminal i dy bashkëjetuesve, të cilët i kanë në posedim.
Ata janë 48-vjeçarja Zamira Gjongecaj dhe 58-vjeçari N.V., alias Besnik Braka. Të dy këta persona janë dënuar për trafik armësh e municionesh, prodhim dhe shitje e narkotikëve dhe falsifikim dokumentesh në vitin 2009 nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Apartamentet e konfiskuara kanë një sipërfaqe totale rreth 470 m2 me vlerë 300 mijë euro.
Në fakt, Zamira Gjongecaj u arrestua në vitin 2005 nën akuzën e shpërndarjes së drogërave të forta në Tiranë.
Ajo u vu në pranga së bashku me disa persona të tjerë pas 4 muajsh hetime, ndërkohë pas arrestimit, për të gjetur lidhjet mes tyre, si dhe prova të tjera më të plota për dosjen, u mbajtën në një dhomë në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Prokuroria vendosi përgjues në dhomën e izolimit, ku regjistroi bisedat e të arrestuarve, duke zbardhur lidhjet që ekzistonin mes tyre.
Në banesën e Zamira Gjongecajt u gjet 5 kg heroinë. Kreu i grupit ku ishte pjesë dhe Zamira Gjongecaj ishte Besnik Braka, nga Elbasani.
Droga, sipas akuzës, ishte destinuar të nisej drejt Italisë. Ndërkohë akuzoheshin se të gjithë pjesëtarët e grupit merreshin edhe me shpërndarjen e heroinës në vend. Një nga këto shpërndarëse ishte edhe Zamira Gjongecaj nga Elbasani.
Në Tiranë, ajo, sipas prokurorisë, jetonte në një shtëpi me qira, ndërsa punonte si parukiere. Mësohet se Zamira ishte e dashura e kreut të grupit Besnik Brakës.
Policia dyshonte për një lidhje mes saj dhe Brakës, por asnjëherë nuk ishin të bindur plotësisht. Në atë kohë, Gjongecaj u shpreh para togave të zeza se ishte shtatzënë prej dy muajsh, duke kërkuar një masë më të butë arresti.
Policia thotë se vijon punën për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera që rrjedhin nga veprimtari të ndryshme kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




