Ka ndodhur

Të dënuar për drogë, ekstradohen dy persona në Shqipëri nga Greqia dhe Holanda

Gazeta Si - Dy persona janë ekstraduar nga Greqia dhe Holanda drejt Shqipërisë, pasi ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka njoftuar se është ekstraduar në Itali një shtetas i shpallur po ashtu në kërkim.

Ata janë Zef Gjikolaj, Ergys Rusha dhe Armant Beqiri. Të tre ata janë të dënuar për veprimtari në fushën e narkotikëve.

-Si rezultat i bashkëpunimit me homologët holandezë u ekstradua nga Holanda drejt Shqipërisë, shtetasi në kërkim ndërkombëtar Zef Gjikolaj, 33 vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 26.05.2017, e ka dënuar këtë shtetas, me 7 vjet burgim, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", pasi në datën 11.12.2015, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, ka tentuar të shesë 15.6 kg lëndë narkotike cannabis sativa, në Mirditë.

-Si rezultat i bashkëpunimit me homologët grekë u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi në kërkim ndërkombëtar Ergys Rushan, 37 vjeç, banues në Korçë, të cilin Gjykata e Apelit Korçë e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

-Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me homologët italianë u ekstradua nga Shqipëria drejt Italisë, shtetasi Armant Beqiri, 40 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë