Politike

Të arrestuarit në protestë, Alibeaj: Rama dhunuesi më i madh i policisë

Pas deklaratës së policisë për arrestimet e protestuesve vjen një reagim nga radhët e opozitës. Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, teksa ka publikuar videon ku kryedemokrati Basha bën thirrje në mbrojtje të policisë shprehet se dhunuesi më i madh i policisë është vetë kryeministri Edi Rama.
Sipas tij, kryeministri është ai që i ka kthyer efektivët e policisë në argatë e punëtorë ngarkim-shkarkimi të drogës.
“Nuk ka njeri në Shqipëri që i ka dhunuar më shumë policët sesa Edi Rama duke i kthyer ata në shërbim të krimit, roje dhe punonjës ngarkim-shkarkimi të hashashit, heroinës dhe kokainës”, shkruan ish-deputeti Alibeaj në “Facebook”.
Sipas Alibeajt, policia është e popullit dhe Lulzim Basha PD në çdo protestë kanë qenë në mbrojtje të policëve me thirrje te hapura dhe me veprime konkrete, edhe pse protestuesit janë dhunuar dhe provokuar vazhdimisht nga policë të infiltruar civilë prej shefave të tyre të inkriminuar.
“Policia është e popullit dhe jo kundër popullit, qeveria është e krimit kundër policisë dhe popullit të saj. Populli është në këmbë për t’i kthyer dinjitetin dhe Policisë së Shtetit, prandaj ne jemi me ta në krah dhe mbrojtje të tyre.
Ndryshe nga kjo qeveri që, kur ishte në opozitë, dhunonte policinë, Lulzim Basha dhe PD në çdo protestë kanë qenë në mbrojtje të policëve me thirrje të hapura dhe me veprime konkrete, edhe pse protestuesit janë dhunuar dhe provokuar vazhdimisht nga policë të infiltruar civilë prej shefave të tyre të inkriminuar”, shkruan ndër të tjera Alibeaj teksa ka postuar edhe videon ku kryedemokrati Basha bën thirrje në mbrojtje të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë