Ecuria e të ardhurave në buxhet ka rezultuar pozitive për 10-mujorin e këtij viti.
Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, për periudhën janar-tetor u arkëtuan gjithsej 413 miliardë lekë, duke u rritur me 17% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Të ardhurat e kanë kaluar nivelin e parakrizës, teksa në krahasim me janar-tetor 2019, të hyrat në buxhet janë rritur me 8%.
Të ardhurat totale për 10-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104.2 % të planit të dhjetë mujorit duke u rritur me 66 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 10- mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 91.8 % të planit të periudhës.
Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit për 10-mujorin e vitit 2021 rezultoi në rreth 35.9 miliardë lekë.
Të Ardhurat
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 360.6 miliardë lekë, 56.1 miliardë ose 18.4% më shumë, krahasuar me vitin 2020, si dhe 18.6 miliardë ose 5.4% më shumë se plani 10 mujor për vitin 2021.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 153.9 miliardë lekë, 30.1 miliardë lekë ose 24.4% më shumë se 10 mujori 2020, si dhe 15.4 miliardë lekë ose 11.1% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 10 mujorin e vitit 2021. Të ardhurat doganore të 10 mujorit 2021 janë ndikuar kryesisht nga rritja e volumit të importit i cili ka sjellë rritje të të ardhurave 114.6 miliardë lekë ose 30 % më shumë krahasuar me 10 mujorin 2020.
Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 58.4% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore për periudhën Janar-Tetor 2021, e zënë 5 produkte dhe përkatësisht:
Karburant importi 26.5%; cigaret 14.8%; metalet bazë dhe artikujt prej tyre 6.5%; automjetet e përdorura me 4.6%; plastika dhe artikujt 3%; ushqime të përgatitura 3%
Të ardhurat nga TVSH në import për 10 mujorin rezultojnë 103.4 miliardë lekë, 22.4 miliardë lekë ose 27.6% më shumë se një vit më parë, si dhe 12.7 miliardë ose 14% më shumë se plani për 10 mujorin 2021.
Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjatë 10 mujorit 2021, produktet doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë: karburant importi me 3.5 miliardë; automjetet e përdorura me 2.4 miliardë; energji elektrike 1.2 miliardë lekë dhe materialet e ndërtimit me 0.9 miliardë, të cilat kanë një kontribut pozitiv +10.2 miliardë lekë.
Ndër produktet me efekt negative renditen: telefona celulare, fruta-perime, sheqeri, mielli dhe gruri dhe biçikletat dhe pjesët, me një efekt -151 milionë lekë.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 42.4 miliardë lekë, 6.3 miliardë lekë ose 17.4% më shumë se viti 2020, si dhe 2 miliardë lekë ose 4.9% më shumë se plani i akcizës për 10 mujorin 2021.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.97 miliardë lekë, 131.1% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 99.9% kundrejt planit, ose 19 milionë lekë më pak. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.6 miliardë lekë, 478.5 milionë ose 42.7% më shumë se renta e 10-mujorit të vitit 2020.
Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rritje si rezultat i rritjes së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 10 mujorin 2021 është 6.4% më shumë se viti i kaluar me efekt +71.7 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt +406.7 milionë lekë. Gjatë 10-mujorit 2021 kemi një rritje të rentës për njësi nga 2.29 lekë/ton në 3.07 lekë/ton.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 6 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 20.5% më shumë se 10 mujori 2020, si dhe 730 milionë lekë ose 13.7% më shumë se plani i 10 mujorit 2021. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produktet si cigaret (9.1%), fruta perimet (8%), mish importi (7.6%), veshjet e këmbës (7.5%).
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 10-mujorin 2021 u realizuan në masën 206.8 miliardë lekë, 25.9 miliardë ose 14.3% më shumë se 10-mujori i vitit të kaluar, si dhe 3.2 miliardë lekë, ose 1.6% më shumë se plani i 10-mujorit 2021.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 24.2 miliardë lekë, 339 milionë ose 1.4% më pak se 10-mujori 2020, si dhe 7 miliardë ose 22.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 10-mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i shërbimeve. Rimbursimet për periudhën 10-mujore 2021 arritën 21.3 miliardë lekë, 7.9 miliardë lekë ose 59.3% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe 6.6 miliardë lekë ose 45% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 10-mujorin 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 27.3 miliardë lekë 5.1 miliardë lekë, ose 22.9% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe 123 milionë lekë ose 0.5% më shumë se plani i vitit 2021 për Tatimin mbi Fitimin. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton sektori i shërbimit me rritje 24% krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020, sektori i ndërtimit me rritje 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe sektori i tregtisë me një rritje 23% krahasuar me vitin e kaluar.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 33.6 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 18.3% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe 195 milion ose 0.6% më pak se plani i 10-mujorit 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë pasur:
të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 96% krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020, të ardhurat nga tatimi mbi dividendin dhe aksionet me rritje 53% krahasuar me 10-mujorin e vitit 2020;
Taksat nacionale, për periudhën Janar-Tetor 2021 u realizuan në masën 32.6 miliardë lekë, 5.3 miliardë lekë ose 19.6% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe 3.3 miliardë lekë ose 11.2% më shumë se plani i përcaktuar për 10-mujorin 2021. Peshën më të madhe në të ardhurat e taksës nacionale e zë taksa e qarkullimit rrugor me 50% të totalit të taksës nacionale, e cila gjatë 10-mujorit 2021 ka pësuar rritje me 19.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 89.1 miliardë lekë, 10.6 miliardë lekë ose 13.6% më shumë se 10-mujori 2020, si dhe realizim 108.5% të planit për 10-mujorin 2021.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën dhjetë mujore të vitit 2021, arritën në rreth 449.63 miliard LEK me një realizim në masën 91.8% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 8.7% më i lartë ose rreth 36.1 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 10 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 75.8% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 73.7% të planit vjetor të ndryshuar me Aktin Normativ nr.26, datë 22.06.2021.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, për periudhën 10 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 96.7% dhe 56.6% e planit të periudhës.

Niveli i deficitit për periudhën 10-mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 35.9 miliardë LEK, ose rreth 30.3 miliard LEK më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 10 mujore niveli i deficitit rezulton 38.7% e planit të periudhës prej rreth 92.7 miliard LEK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



