Nga Gazeta ‘Si’ - Shqipëria duket se po shkon drejt vitit më të mirë historik të turizmit.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga turizmi arritën në 624 milionë euro, 52% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Në tre muajt e parë, sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.070.564. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit ky numër është rritur me 59.5%.
Sipas të dhënave të BSH-së për shumën e shpenzuar nga ata që udhëtojnë në Shqipëri dhe të INSTAT për numrin e shtetasve të huaj, rezulton që shpenzimi mesatar për një person ka qenë rreth 580 euro për kohën e qëndrimit në Shqipëri.
Shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit në janar-mars të këtij viti ishin 435 milionë euro, sërish një nivel rekord, me një rritje prej 35% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë tremujorit të parë të 2023-shit, është 1.394.250, duke u rritur 32.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kur dalin jashtë vendit, shtetasit shqiptarë sipas të dhënave shpenzojnë mesatarisht 311 euro për person, gati sa gjysma e një të huaji.
Në tre muajt e parë 2023, sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomisë vendase i mbetën neto nga udhëtimet 189 milionë euro, niveli më i lartë rekord.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.