Kërkesa për mallrat kryesore të konsumit, nxitur edhe nga sezoni turistik kanë sjellë rritjen e zhdoganimeve dhe të ardhurave nga doganat për buxhetin e shtetit gjatë korrikut.
Sipas shifrave zyrtare, Doganat kanë shënuar një rekord të të ardhurave të mbledhura në një muaj duke iu afruar shifrës 20 miliardë lekë (rreth 170 mln euro), shuma më e lartë në 30 vjet, e arritur në historinë e Administratës Doganore në një muaj.
Sipas të dhënave operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në muajin korrik 2022 të ardhurat u realizuan në masën 19 miliardë e 625 milionë lekë.

Krahasuar me planin e rishikuar (të rritur) janë realizuar rreth 775 milionë lekë më shumë ndërkohë që krahasuar me korrik 2021 janë realizuar rreth 2.5 miliardë lekë më shumë duke u rritur me rreth 14.4%.
Ndër arsyet kryesore, Dogana vlerëson rritjen e performancës së administratës doganore, digjitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e zhdoganimeve të mallrave të akcizës gjatë korrikut kryesisht nga sasia rekord e konsumit të cigareve prej 277 ton, kafesë rreth 600 ton, birrës rreth 12.250 mijë litra etj.
Si periudhë 7-mujore, doganat kanë realizuar 122.7 miliardë lekë të ardhura ose rreth 5.5 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar.
Në krahasim me 7-mujorin e vitit të shkuar janë realizuar rreth 20.8 miliardë lekë më shumë ose rreth 20.4% më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



