Para

Të ardhurat në Shqipëri, shpërndarje e pabarabartë

Shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë.

Ky është përfundimi ku kanë dalë ekspertët Selami Xhepa dhe Adrian Civici pas shqyrtimit të opinioneve dhe qëndrimeve të publikut shqiptar, gjetje, të cilat i kanë bërë publike në një raport studimor të botuar nga fondacioni “Friedrich Ebert”, “Sistemi ekonomik dhe roli i shtetit në shoqëri”.

Në studim vërehet se 39% e popullsisë mendojnë se pasuria e krijuar nga të pasurit nuk është vënë me anë të punës së ndershme. Gjithashtu, opinioni publik (43.50%) beson se politikat e derisotme u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të sektorit privat dhe pak vëmendje interesave të popullatës. “Pra, sistemi është i disbalancuar në favor të kapitalit. Edhe pse më shumë se 40% e popullatës besojnë se individët duhet të marrin më shumë përgjegjësi mbi vete, përsëri vetëm rreth 30% e tyre mbështetin një shoqëri të bazuar mbi individualizmin. Nevoja për ndërhyrje shtetërore në mbrojtjen e vendeve të punës që rrezikohen dhe në investimet publike në arsim, shëndetësi dhe infrastrukurë mbështetet në mënyrë masive”,- vërehet mes të tjerash në raport.

Pas analizimit të të dhënave, ekspertët nënvizojnë se “Shoqëria beson se rreziqet për rënien e standardit të mirëqenies janë sot më të larta nga ato të brezit të kaluar dhe se rreziqet për brezin e ardhshëm do të jenë edhe më të larta. ”Një tjetër pikë që vlen të përmendet është edhe fakti se “jo gjithmonë rritja ekonomike përkthehet në zhvillim ekonomik dhe standard më të lartë mirëqenieje.”

“Janë jo të pakta rastet në historinë e ekonomisë ku rritja ekonomike nuk ka çuar edhe në progres ekonomik e shoqëror, dhe kjo për shkak të cilësisë së kësaj rritjeje. Pra, e rëndësishme është që vendi të gëzojë jo vetëm rritje ekonomike, por dhe që kjo të jetë cilësore, një rritje nga e cila përfitojnë të gjitha grupet shoqërore, një rritje që i ngushton pabarazitë sociale dhe e zbut varfërinë. Pabarazia dhe varfëria janë parë si mallkimi binjak që shpeshherë fajësohet si shkaktari i së keqes që kontribuon jo vetëm në përkeqësimin e treguesve të shëndetit, por edhe minon qeverisjen demokratike, gërryen besimin dhe kënaqësinë e shoqërisë, madje bëhet shkas edhe për obezitetin në rritje të popullsisë.”, vërejnë ekspertët.

Ata theksojnë faktin se pabarazia ekonomike, veçanërisht ajo ekstreme, mund të rezultojë edhe në privim kronik të të drejtave të njeriut. “Debati mbi pabarazitë është një temë qendrore në debatin e sotëm politik global. Ka një ndjesi gjithnjë në rritje se të varfrit po lihen pas nga të pasurit, të moshuarit nga të rinjtë, periferitë nga metropolet, individët pa shkollë nga ata me shkollime të mira, vendet e varfra nga vendet e pasura. Hendeku ekonomik dhe social ndërmjet kombeve, rajoneve dhe grupeve sociale po thellohet.

Ky problem ndeshet gjerësisht edhe në vendin tonë, dhe debatet mbi pabarazitë në rritje dhe varfërinë janë shumë të pranishme në shoqëri. Edhe ky studim konfirmon se publiku ka qartazi një perceptim se shpërndarja e pasurisë dhe e të ardhurave ka krijuar pabarazi të mëdha dhe se kjo përbën një shqetësim serioz për kohezionin social.”

Pyetjes “A po bëhet shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë?”, rreth 70% e të intervistuarve i janë përgjigjur se “pajtohen plotësisht” dhe 92% i janë përgjigjur “po dhe më shumë po”. Si ka lindur pabarazia në Shqipëri? Ky nivel kaq i lartë perceptimi mbi asimetrinë e shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurisë është realisht shqetësues. Por, a është çështja e varfërisë dhe pabarazisë thjesht një problem perceptimesh, apo një realitet? Si ka lindur pabarazia në Shqipëri? Në studim shenjohet se procesi i krijimit të pasurisë ka sjellë formimin e grupeve të polarizuara shoqërore për sa i përket përqendrimit të pasurisë.

Sipas të dhënave, 10% e popullsisë marrin rreth 1/4 e së ardhurës kombëtare të krijuar dhe 20% e saj marrin rreth 41% të gjithë të ardhurave të ekonomisë. Ndërsa 10% e popullsisë që ndodhen në fundin e piramidës së shpërndarjes së të ardhurave marrin vetëm rreth 3% të të ardhurave, ose rreth 8 herë më pak se 10% që janë në majë të piramidës. Rreth 1/5 e popullsisë që ndodhen në shtresën e fundit të piramidës së shpërndarjes së të ardhurave marrin vetëm 7.5% të së ardhurës kombëtare të krijuar gjatë vitit. Varfëria, mungesa e investimeve të duhura dhe pagat e ulëta.

E parë në një kontekst krahasues, Shqipëria renditet ndër vendet me nivele të larta pabarazie, krahas vendeve si Britania e Madhe apo Spanja. “Problemi në Shqipëri bëhet edhe më i mprehtë pasi kontrastet sociale bëhen shumë të dukshme në kuadrin e një varfërie gjerësisht të përhapur”

Nga ana tjetër, varfëria vazhdon të mbetet një fenomen shumë i përhapur në shoqërinë tonë dhe, në një kontekst të tillë, pabarazitë sociale bëhen edhe më shqetësuese. Sipas një studimi të Bankës Botërore mbi punësimin në vendet e rajonit të Ballkanit, u vërejt në 38.7% të popullsisë, ose 487 mijë qytetarë jetonin në varfëri. Goditjet e fundit negative ekonomike të shkaktuara nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe nga pandemia e COVID-19-s, kanë ndikuar në një shtim edhe më të madh të numrit të familjeve në prag të varfërisë. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, varfëria në Shqipëri mund të rritet në 44% të popullsisë në bazë vjetore, duke e shtuar numrin e personave në varfëri me 115–230 mijë individë. Sipas ekspertëve, veçanërisht politikat e taksimit dhe rregullat e kontabilitetit kanë mbështetur përqendrimin e pasurive dhe të aktiviteteve ekonomike dhe nuk kanë favorizuar investimet në përmirësim teknologjik dhe në kapitalin njerëzor brenda firmës. Duke hetuar më tej në shkaqet e varfërisë, ajo është ngushtësisht e lidhur edhe me nivelin e pagave.

“Varfëria dhe mungesa e të ardhurave nuk vijnë vetëm si pasojë e papunësisë, por dhe për arsye të cilësisë së punësimit. Në fund të vitit 2019, paga mesatare në ekonominë e Shqipërisë ishte rreth 30% më e ulët se paga mesatare më e ulët e rajonit – e Kosovës, dhe rreth 46% më e ulët se paga më e lartë në rajon – e Malit të Zi.”, nënvizohet në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë