Drejtësia

Të akuzuar për mashtrim me ‘Call Center’ dhe vjedhjen e 7 mln eurove, Apeli i GJKKO kthen dosjen për rigjykim

Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së, ka kthyer për rigjykim dosjen ndaj të pandehurve Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, të shpallur fajtorë për një skemë mashtrimi me “Call Center” dhe vjedhjen e 7 milionë eurove.

Sipas vendimi të Apelit, çështja do të kthehet për rigjykim në Shkallën e Parë me një trupë tjetër gjykuese.

Kasmi dhe Xhafa ishin vetëm 2 prej 13 të pandehurve që u shpallën fajtor nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në korrik të vitit të kaluar.

Sipas hetimeve ata përllogaritet të kenë përfituar nga kjo skemë vlerën e 7 milionë eurove.

Gjykata e Posaçme e ka shpalli Erjon Kasmin fajtor për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim dhe “Grupi i strukturuar kriminal” duke e dënuar me 11 vite burg në total, nga të cilat do të kryente 7 vite e 4 muaj, për shkak se i ulej 1/3 e dënimit. Xhafa ishte dënuar me 10 vite burg në total, por do të vuante vetëm 6 vite e 8 muaj burgim, për të njëjtën arsye.

Në Shkallën e Parë, SPAK nuk arriti të provonte se 24 pasuri, ku përfshihen llogari bankare, apartamente dhe truall toke, janë produkte të veprës penale.

Për këtë arsye 20 pasuri të Erjon Kasmit dhe 4 të Xhuliano Xhafës të sekuestruara me vendim të Prokurorisë në qershor dhe korrik të 2022, e më 5 maj të 2023, iu kthyen atyre pavarësisht dënimit. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë