Nga Gazeta ‘Si’– Së fundmi kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një seri emërimesh politike që kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm për peshën e posteve, por për faktin se në to përfshihen figura që deri dje vinin nga kampi i opozitës.
Për të shpjeguar hapjen e Partisë Socialiste ndaj tyre ai vetë përdori një metaforë gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së: tavolinën e byrekut.
Sipas tij partia nuk duhet të sillet “si në tavolinën e byrekut”, duke mbyllur derën për të tjerët, por duhet ta ndiejë këtë hapje si një bashkim me sa më shumë profesionistë, pavarësisht orientimit politik.
“Ka sot demokratë që duan të na bashkohen më shumë se kurrë. Nuk na duhet më vota e demokratëve, por dëshira e tyre për të punuar, për të dhënë një kontribut sado të vogël dhe njëkohësisht duke mbajtur veten dhe familjen e tyre. Na duhet që të kemi njerëz që janë me atë punë, dhe duhet ta ndjejmë dobinë e kësaj hapjeje… Shqipëria është shumë e vogël për të pasur luksin e mosshfrytëzimit të burimeve të mira njerëzore”, tha ai në shtator të 2025-ës.
Këto lëvizje që PS i sheh si hapa pragmatikë për të përfshirë njerëz nga e gjithë skena politike, të tjerë në fakt i shohin si taktikë e Ramës për të “çliruar” opozitën nga njerëzit e saj më aktivë.
Përpos rastit më të fundit, emërimit të Dashnor Sulës si Kryeinspektor i Përgjithshëm në administratë, Rama ka rekrutuar në PS edhe shumë figura të tjera që dikur i përkisnin opozitës.
Mes emrave që tërhoqën vëmendje ishte Zamira Sina, pedagoge dhe ish‑aktiviste e Partisë Demokratike, e cila disa vite më parë u shqua në protestat opozitare, duke qëndruar për muaj në çadrën e ngritur para Kryeministrisë.
Ajo u prezantua si kandidate në listën e mbyllur të PS për qarkun e Vlorës për zgjedhjet parlamentare të majit 2025. Sina u shpreh se “nuk ndihej keq ta pranonte se Edi Rama ‘shihte më larg’ se ajo në atë kohë”, duke treguar se përvoja e saj politike ishte evoluar dhe se vendosi të bashkëpunonte me PS‑në për të ndikuar në politikën shtetërore.
Rama, nga ana e tij, komentoi përfshirjen e saj me një notë ironike, duke kujtuar se ajo dikur ishte në çadër duke kërkuar ndryshim, ndërsa tani ishte pjesë e një liste që synonte të fitonte zgjedhjet.
Një tjetër rast i komentuar gjerësisht ishte ai i Alban Zenelit, ish‑deputet i PD‑së në legjislaturën e mëparshme, i cili u përfshi në listën e hapur të kandidaturave të PS‑ë për qarkun e Kukësit.
Rama i bëri një thirrje ironike demokratëve që t’i bashkoheshin PS‑së, duke thënë se Zeneli e do PD‑në “por jo bufin dhe tribunën VIP të kënetës”, një referencë e tij ndaj PD-së dhe Berishës.
Por nuk duhen lënë pa përmendur edhe emërimet e Genc Deromemajt dhe Zheni Gjergjit.
Genc Deromemaj, një prej figurave të PD‑së në Vlorë dhe ish‑kryetar i degës lokale të kësaj partie për disa vite, u emërua drejtues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për qarkun e Vlorës nga qeveria Rama në qershor 2025.
Deromemaj dikur aktiv në radhët e PD‑së, kishte kandiduar në zgjedhjet lokale të vitit 2015, por më pas kishte dhënë dorëheqjen nga disa funksione brenda partisë dhe kishte dalë nga skena aktive politike të kampit opozitar.
Emërimi i tij në një institucion të rëndësishëm publik u pa nga disa si një shembull i hapjes ndaj figure opozitare — por nga ana tjetër s’kaloi pa kritika nga strukturat e PD‑së.
Kreu i PD‑së, Sali Berisha, komentoi publikisht se Deromemaj “kishte bërë zgjedhjen e tij” duke pranuar postin, duke theksuar se ai nuk e kishte njoftuar më herët dhe duke e konsideruar këtë si një largim nga pozitat e partisë që ai përfaqësonte më parë.
Berisha sugjeroi se një demokrat “nuk e merrte një post të tillë” dhe nënvizoi se ky lloj veprimi ishte zgjedhje personale e Deromemajt, jo një reflektim i vlerave të partisë së tij.
Zheni Gjergji, nga ana tjetër, është një tjetër emër që tërhoqi vëmendje. Ish‑deputete e Partisë Demokratike, ajo u emërua drejtuese e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan në tetor 2025.
Në njoftimin e saj, vetë Gjergji shpjegoi se vendimi “nuk ishte i lehtë politikisht”, por ishte një “vendim profesional dhe human”.
Edhe ky emërim u shoqërua me reagime të ashpra nga opozita. Sali Berisha e quajti emërimin e saj si një “kalim te partia e krimit”, duke e akuzuar për tradhti ndaj votuesve që e mbështetën kur ishte pjesë e PD‑së.
Lëvizjet e Ramës në fakt tregojnë një strategji të dyfishtë: nga njëra anë, ai duket sikur nuk po humb rastet për të mosshfrytëzuar burimet e mira njerëzore por nga ana tjetër, veprimet e tij funksionojnë si një mënyrë për të heshtur zërat kritikë dhe për të integruar ish-opozitarët në PS, duke dobësuar gradualisht influencën e kampit kundërshtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



