Ekspozite

Tavani i bronztë: Pse mungojnë skulpturat publike femërore?

Monumenti i Nënës Shqipëri në Varrezat e Dëshmorëve, Tiranë.

Suadela Balliu - “Nëse je grua, gjasat më të mëdha për t’u bërë një shtatore i keni nëse jeni një figurë mitologjike apo alegorike, një virgjëreshë e famshme, mbretëreshë ose një nudo”, thotë Caroline Criado Perez, një aktiviste britanike, e cila luftoi shumë për ngritjen e së parës figurë të shquar femërore në  sheshin e Parlamentit, në Londër.

Millicent Fawcett është e para grua, e cila qëndron në këtë  shesh, krahas shtatoreve të njëmbëdhjetë burrave, si Nelson Mandela, Winston Churchill apo  Abraham Lincoln. Kjo shtatore e krijuar nga artisti  Gillian Wearing ka zënë një vend në sheshin legjendar të Londrës, një shekull pasi gratë në Britani fituan të drejtën e votës – një kauzë e cila ka qenë edhe puna e jetës së saj.

Fawcett dha ndihmesën në themelimin e një grupi të quajtur “Unioni Kombëtar i Shoqërive të Grave votuese”, që besonte në përdorimin e taktikave jo të dhunshme për të bindur qeverinë se edhe  gratë meritonin të drejtën për të votuar. Përpjekja e tyre solli fryte 100 vjet  më parë, kur grave iu garantua vota më 1918-ën.

Shtatorja e Millicent Fawcett në sheshin e Parlamentit, Londër. 

Pasi organizoi një maratonë në shesh, më 2016-ën, shkrimtarja feministe dhe aktivistja Caroline Criado Perez  vuri re se nuk kishte gra të paraqitura aty. Më  pas nisi një peticion dhe mblodhi 85 mijë firma, që çuan më vonë në ngritjen e shtatores që nderon Fawcett-in. Një vëzhgim në Britaninë e Madhe ka dalë në përfundim se afro 85 përqind e shatorëve publike janë me figura mashkullore. Përveç disa mbretëreshave, ka shumë pak monumente kushtuar grave.

Shatore e  Eleanor Roosevelt në Uashington. 

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësohet se 90 përqind e skulpturave publike u  kushtohen burrave.  Nga 5 mijë e 193 shtatore publike që portretizojnë figura publike në rrugët dhe parqet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vetëm 394 prej tyre janë gra. Në këtë numër asnjë prej 44 memorialëve, si Memoriali i Lincoln-it apo ai i Thomas Jefferson-it, nuk fokusohet specifikisht te gratë. Një grup në ShBA, i quajtur “Ku janë gratë” kërkon të ndryshojë këtë raport.

Mbretëresha Viktoria, Leith, Edinburg. 

Kohëve të fundit ka ngritur fushata të suksesshme për të pasur shtatore të grave, pioniere të të drejtave të grave,  si Susan B. Anthony dhe Elizabeth Cady Stanton të vendosura në Parkun Qendror të Nju Jorkut, i cili nuk kishte shtatore figura reale femërore Ky hendek gjinor në monumente shfaqet në të gjithë botën. Edinburgu ka vetëm dy shtatore publike me figura femërore, një është skulptura në bronz e Mbretëreshës Viktoria në Leith dhe një skulpturë e Helen Crummy, një aktiviste sociale, vendosur në Craigmillar.

Monument i Zhan d'Arkës, në Paris.

Kryeqyteti i artit botëror, Parisi mes shtatoreve më të famshme në botë, figurat e grave që spitalin janë Venusi i Milos, shtatorja e lashtë greke në muzeun e Louvre-it shtatorja e Zhan Darkës, në disa hapësira publike e po ashtu Mariana, simbolika e ngadhënjimit të Republikës, një skulpturë publike me pamje nga Sheshi i Republikës. Ndërsa në Itali, mes skulpturave më të famshme të antikitetit dhe Rilindjes zor se gjen një figurë gruaje në sheshet publike.

Monument në Varrezat e Dëshmorëve. Lushnje

Po pse mungon gjysma tjetër e popullsisë së bronzit, mermerit dhe gurit?  Po në Shqipëri si është raporti i burrave dhe grave në skulpturat publike? Sa janë të nderuara dhe përfaqësuara figurat e shquara femërore në shtatore të vendosura në hapësira publike nëpër qytete të ndryshme të vendit? “Në skulpturën shqiptare të periudhës së realizimit socialist, gruaja ka një vend të plotë”, thotë skulptori Arben Bajo, i cili në veprën e tij i ka kushtuar një vend të rëndësishëm figurës së gruas e veçanërisht nudos femërore.

Skulptori Arben Bajo. Foto:Fahredin Spahija

Bajo numëron një sërë skulpturash të vajzave dhe grave heroina siç është busti i Margarita Tutulanit në Berat, Zonja Çurre në Vlorë, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima në Gjirokastër. “Heroinat e Mirditës, fatkeqësisht u shkatërruan nga vandalët”, thotë Bajo, duke shtuar se në Fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve gjenden edhe të tjera skulptura që portretizojnë figurën femërore, siç është Nëna Shqipëri në  Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në hollin e Pallatit të Kongreseve, busti i sopranos Tefta Tashko Koço apo edhe ato të propagandës si skulptura e Zboristes.

Skulptori Thoma Thomai duke punuar shtatoren e Nënë Terezës. 

Në librin e tij “Skulptura e Realizmit Socialist dhe skulptura në Europë”, botuar nga “Onufri” në vitin 2017, Maks Velo shkruan se “Për të bërë buste skulptorët shfrytëzonin çdo punëtor të shpallur hero, çdo mjelëse që tejkalonte planin, çdo minator pararojë. Si në një lojë bixhozi, skulptura në këtë kohë lëviz me katër personazhe; Partizani, Punëtori, Fshatarja dhe Ushtari”.

Mbretëresha Teutë mbi Bankën e Durrësit. 

Siç e shpjegon arkitekti dhe skulptori, ky repertor i kufizuar i figurave njerëzore erdhi pas realizimit të grupit të famshëm skulpturor të Vera Muhinës, në Moskën e vitit 1930, titulluar “Punëtori dhe Fshatarja”, të cilët shfaqeshin me drapër e çekan, që më vonë u kthyen në simbolin figurative të shtetit Sovjetik.

Monumenti i Margarita Tutulanit, në Berat. 

Maks Velo në librin e tij ka sjellë një rrugëtim të skulpturës në Shqipëri, ku më të rëndësishmet  në portretizimin e figurave të vajzave dhe grave të shquara  ishin busti i Shote Galicës, vepër e skulptorit Kristaq Rama, që u përurua në vitin 1968 në qytetin e Kukësit, ndërsa në tetor të vitit 1971, do të përurohej në Rrëshen monumenti i Katër Heroinave të Mirditës, një vepër e punuar nga skulptorët A. Mano, Dh. Gogollari, F.Dushku dhe P.Çuli. Monumenti i Nënës Shqipëri do të përurohej në ditën e dëshmorëve, 5 majin e vitit 1972, realizuar nga Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Mumtaz Dhrami.Në të njëjtën periudhë do të përuroheshin edhe Zonja Curre në Tragjas të Vlorës dhe  Shkurte Vata në Myzeqe.

Maks Velo në studion e tij. 

Sipas Maks Velos, i vetmi që dallohej për një kërkim forme, “një kubizëm të lehtë ishte Kristaq Rama në bustin e Shote Galicës apo në portretin e Zboristes.”, tipare që ndikuan pozitivisht sipas Velos, në krijimin e monumentit  të Nënës Shqipëri  në Tiranë dhe atij të Pavarësisë në Vlorë. Në të njëjtën periudhë u vendosën skulptura në parqe, ku figurat femërore do të shfaqeshin në skulpturën e Hektor Dules “Partizani duke pirë ujë”, ku paraqitet një partizan dhe një fshatare që i ofron shtambën me ujë.

Memoriali i Katër Heroinave të Mirditës, Rrëshen,  tashmë i shkatërruar. 

Në parkun e Pogradecit, buzë liqenit u vendos skulptura e Fshatares  nga Rajca,  vepër e Vildan Jahjes, ndërsa në Sarandë u vendos në lulishten buzë detit, skulptura Mbledhësja e Pambukut. Nga sensualja te gruaja heroinë; nënë, motër, punëtore, luftëtare.  A mundën skulptorët të sillnin një frymë moderniste, teksa gdhendnin dhe portretizonin “gruan komuniste”? “Skulpturat e femrave në vendet Socialiste ndryshonin krejt nga bustet apo skulpturat femërore europiane, këtë e sjell qartazi në libër.”, do të shprehej në një intervistë Maks Velo.

Bust i Liri Geros, në Fier.

Sipas skulptorit Arben Bajo, është e nevojshme që sot të ringjallen figura të rëndësishme të botës femërore shqiptare si Dora d’Istria, Musine Kokalari, Xhanfize Keko, Motrat Qiriazi, etj.Ka pafund  figura historike femërore që duhet të kujtohen e të nderohen në  të  njëjtën mënyrë si meshkujt. Ka një plejadë artistesh;  aktore këngëtare,  që e meritojnë të përjetësohen, si për shembull Vaçe Zela.”, përfundon Bajo.

Busti i Marigo Posios, në Vlorë. 

Pas viteve ’90, ku nuk ndërtohen më monumente të nxitura nga propaganda politike, pak janë figurat e shquara femërore të ngritura shtatore në hapësira publike, ku një ndër të rrallat është ajo e Nënë Terezës, punuar në vitin 2004 nga skulptori Thoma Thomai. Me një shumësi bustesh dhe shtatoresh të ngritura në të gjithë botën, Nënë Tereza është ndër të rrallat gra, ndoshta për statusin e saj të shenjtores, e nderuar në skulpturë.

Shtatore e këngëtares amerikane Tina Turner, Durrës. 

Edhe skulptori Sadik Spahija është i të njëjtit mendim, se pas viteve ’90, pak hapësirë i është kushtuar skulpturës publike të figurave femërore, ku ai përmend shtatore si Liri Gero, Tina Turner në Durrës dhe Nënë Tereza. “Për të cilën do të thosha se akoma nuk e ka gjetur praninë e duhur në sheshet publike të vendit të vet.”, thotë Spahija, i cili ka realizuar vetë një skulpturë publike të një figure femërore siç është shtatorja e aktores Violeta Manushi në fshatin Tushemisht të Pogradecit.

Skulptori Sadik Spahija me shtatoren e aktores Violeta Manushi, Pogradec.

“Gjithsesi do të thosha se figura e femrës në  skulpturën publike në Shqipëri nuk ka gjetur vendin e merituar.” Spahija vëren se edhe në skulpturën publike botërore, figura e femrës mungon.“Përgjatë historisë deri në  fund të  shekullit të 19-të,  në sheshet publike shohim kushtime për perandorët, mbretërit dhe me krijimin e shteteve për burrat shtete formues. Sheshet publike janë hapësira për  përjetësimin e ideve dhe personaliteteve të kohës dhe përgjatë historisë,  ne mund të  shohim se çfarë kanë dashur qeverisjet e ndryshme t’u  thonë njerëzve dhe, po ashtu mund të  konstatojmë që vendimmarrja ka qenë në shumicën dërrmuese mashkullore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë