Irena Beqiraj

Tatimi i fitimeve të papritura dhe nevoja për rishikim të strukturës së tregut të energjisë!


Dikur ishte herezi të lidhje rritjen e fitimeve me çmimet. Por që nga viti i kaluar në rrethet e ekonomistëve është krjuar bindja që shtysa për fitime të papritura është nxitës i rëndësishëm i inflacionit. Përveç ekonomistëve të bankave qendrore si zëvendëskryetarja e Rezervës Federale të SHBA, Lael Brainard apo Isabel Schnabel, anëtare e bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane, edhe nobelisti i Paul Krugman e ka pranuar këtë lidhje.

Kjo pikëpamje ka fituar terren jo vetëm midis ekonomistëve por tatimi mbi fitimet e papritura të kompanive është mbështetur nga shumë qeveri. Qeveria britanike ka zbatuar atë tanimë për prodhuesit e naftës dhe gazit. Qeveria gjermane në shtator prezantoi nevojën për të tatuar fitimet e “rastësishme” siç i quan ajo, në tregun e energjisë elektrike.

Po ashtu nëse do të ishte në dorën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, më shumë ekonomi do të duhet të përdorin tatimin mbi fitimet e papritura mbi kompanitë e energjisë.

Qeveria shqiptare po ashtu ka vendosur të tatojë fitimet e papritura të kompanive prodhuese të energjisë elektrike. Të tatosh fitimet e papritura në sektorë strategjikë është si të ecësh në një tel të hollë pa humbur ekuilibrin.

Nga njëra anë qeveria do të përballet me kritikat e zakonshme të cilat e shohin tatimin e fitimit të papritur si një ndërhyrje shtetërore që shtrembëron tregun edhe sinjalet mbi çmimet, apo që pengon investimet, kritika këto që nuk qëndrojnë. Askush nuk mund të argumentojë bindshëm kundër vendosjes ndaj tatimit të papritur ndaj një kompanie prodhuese të energjisë elektrike që përdor energjinë diellore, apo hidrike, e cila përfiton pa asnjë shtesë në kosto, por thjesht si rezultat i rritjes së çmimit të një produkti zëvendësues si gazi natyror.

Për më tepër po të kemi parasysh vendosjen e çmimit të energjisë në tregjet e BE, në përcaktimin e tij, merret parasysh kostoja më e lartë shtesë e prodhimit të një kilovati nga çdo burim prodhimi. Nëse një hidrocentral ka kosto të larta fikse të ndërtimit, sapo uji prek turbinën e tij kostoja shtesë e prodhimit të një kilovati është thuajse 0. Ndërsa një termocentral ka kosto të ulët të ndërtimit por  kosto shtesë e një kilovati të prodhuar me gaz në termocentral është të paktën sa kostoja e gazit që duhet për ta përftuar atë. 

Duke vendosur çmime shumë më të larta se kosto shtesë e prodhimit të një kilovatori nga burimet e rinovueshme, rregullatorët e BE pretendonin të nxisnin ndërtimin e hidrocetraleve apo paneleve diellorë. Pra prodhuesit tanë që prodhojnë energji hidrike, janë përfitues “pa bërë gjë “ nga rregullat e përcaktimit të çmimit në tregjet europiane. Rritja e kostos shtesë të një kilovati të prodhuar me gaz ka rritur artificialisht edhe çmimin e energjisë hidro.

Ndërkohë që, fitimet e tepërta në një krizë inflacioniste zakonisht shkaktohen në sektorë, struktura e tregut është jo konkurruese dhe pengesat e hyrjes janë të larta. Kompanitë energjitike, kanë mundësi të rrisin fitimet e tyre në këtë rast edhe si rezultati i fuqisë së tyre në treg.

Ndërsa tatimi mbi fitimet e papritura ose të rastësishme është tërësisht i justifikuar, aplikimi i tij do të jetë i vështirë.  Pjesa më e madhe e kompanive të energjisë elektrike u përkasin korporatave shumëkombëshe të afta në artin e fshehjes së fitimeve të tyre përmes transaksioneve komplekse brenda-kompanive të grupit, të njohura në gjuhën financiare transferimi i çmimit.

Gjithashtu dihet se përveç shitjes së energjisë elektrike, ato marrin pjesë aktive në tregtinë e kontratave të së ardhmes duke krijuar të gjitha mundësitë që një pjesë të mirë të fitimeve t’i shtyjnë në periudha të ardhshme kur ky tatim nuk do të jetë më në fuqi.

Ndërkohë në rast se në kontratat koncensionare është e përfshirë klauzola e stabilitetit financiar, e cila i mbron kompanitë koncensionare nga rritja e tatimeve, mbledhja e këtij bëhet edhe më e vështirë.

Pra kjo taksë specifike ka nevojë për njohuri specifike dhe të thelluara të administratës tatimore. Që ky tatim të mblidhet pranë tatimeve duhet të ketë një grup të mirëtrajnuar i cili është në gjendje të zbërthejë skemat e vështira kontabël të llogaritjes së fitimeve të papritura të energjisë elektrike, apo edhe njohje të mirë të kushteve të kontratave koncensionare.

Ndërsa në afat të gjatë kemi nevojë të rishikojmë gjithë strukturën e tregut të energjisë elektrike. Është koha për të riparë strategjinë e krijimit të tregjeve të stimuluara të energjisë elektrike. Eksperienca na ka treguar se sa lehtë mund të bashkëpunojnë prodhuesit për të rregulluar çmimin e shitjes me shumicë. Po ashtu eksperienca sidomos europiane na tregon sesi tregu me pakicë i energjisë elektrike shndërrohet në një kazino me kompani që spekulojnë me çmimet e ardhshme të energjisë elektrike, duke përfituar gjatë kohëve të mira dhe duke kërkuar ndihmë nga shteti në kohë të këqija.

Mbase ka ardhur koha të mendojmë për rrjete lokale në pronësi të bashkive të burimeve të rinovueshme ekzistuese (solare, erë dhe bateri) që i kthejnë komunitetet në pronarë, menaxherë dhe përfitues të energjisë që u nevojitet.


Copyright © Gazeta “Si”