Biznes

Tatimet, si do të funksionojë sistemi i ri i deklarimit të biznesit

Gazeta “Si” u interesuar se si do të funksionojë sistemi i ri i deklarimit të bizneseve në kohën e impelemntimit të ligjit, drafti I të cilit është hedhur për diskutim tek grupet e interesit. Tatimet na dhanë informacionin zyrtar përmes drejtorisë ligjore. Drejtoria me argumentin se “jemi në fazën e konsultimit publik të draft igjit; përgjigjet janë institucionale”, nuk kanë preferuar të përfaqësohen me një ekspert konkret.

Sipas tatimeve, me përjashtim të disa specifikave lidhur me limitin e arkës, softuerit të përdorur për lëshimin e faturës, si dhe përcaktimit të orarit të punës, gjatë të cilit do të lëshohen faturat, pjesa tjetër e deklarimit si afatet apo procedurat do të jenë të njëjta, sikur po procedohet aktualisht me kasat fiskale.

Nuk ka një faturë financiare për instalimin e sistemit të ri, por tatimet thonë se do të kryejnë trajnime për administratën tatimore që procesi i kalimit nga njëri sistem tek tjetri të mos ketë probleme.

Tatimet shpjegojnë se barra e sistemit të ri për biznesin do të jetë në varësi të buxhetit të tyre “Në varësi të planit të biznesit nga subjektet tatimpagues, do të përcaktohet dhe nevoja e tyre për materiale specifike nga vetë ata”.

Pra me pak fjalë, nisur nga lloji i aktivitetit apo tatimpaguesit, do të jetë dhe vlera që ata do të konsiderojnë të investojnë.

Nga do të ndryshojë teknikisht sistemi i ri i deklarimit nga ai aktual?

Sistemi i ri bazohet në një protokoll komunikimi nëpërmjet lidhjes me internet, i cili
bën të mundur dhënien e informacionit në kohë reale pranë administratës tatimore.

Cilat do të jenë praktikisht hapat që do të ndjekë një biznes duke nisur që nga momenti që hap derën e lokalit psh, deri në darkë që mbyll aktivitetin e ditës? Muajin dhe vitin?

Me përjashtim të disa specifikave lidhur me limitin e arkës, softuerit të perdorur për lëshimin e faturës, si dhe përcaktimit të orarit të punës, gjatë të cilit do të lëshohen faturat, pjesa tjetër e deklarimit si afatet apo procedurat janë të njëjtat.

Biznesi edhe tani pret fatura elektronike, çfarë ndryshon me projektligjin e ri?

Subjektet tatimpaguese lëshojne fatura kompjuterike të miratuara nga DPT, fatura elektronike ndryshon nga ky model pasi do të jetë një komunikim në rruge elektronike midis subjekteve tatimpagues.

Sa është fatura financiare e këtij sistemi të ri?

Jemi ende në fazën e konsultimit publik të ligjit. Në vijim do të ketë një kornizë të plotë informative mbi të gjithë procesin.

Biznesi i madh deklaron se nuk e ka problem. Po biznesi i vogël? Sa është vlera e instalimit të softuerit për çdo biznes që të funksionojë? Dhe ka nevojë për kompjutera a bazë tjetër materiale specifike?

Në varësi të planit të biznesit nga subjektet tatimpagues, do të përcaktohet dhe nevoja e tyre për materiale specifike nga vetë ata.

Pra me pak fjalë, nisur nga lloji i aktivitetit apo tatimpaguesit, do të jetë dhe vlera që ata do të konsiderojnë të investojnë.

Meqenëse ky është vetëm një përditësim i softuerit POS ekzistues të kërkuar nga rregullorja e re, modifikimi i pritshëm i softuerit POS për klientët ekzistues duhet të përfshihet në çmimin e mirëmbajtjes së tyre. Tatimpaguesit që nuk kishin asnjë pajisje POS, do të duhet të zgjedhin nga tregu softuerin më të mirë POS me zgjidhje softuerike për shërbimin fiskal që i përshtatet nevojave të tyre. Një nga përfitimet e qasjes së re është që oferta e tregut do të zgjerohet dhe do t'u japë atyre mundësi të zgjedhin atë që i përshtatet më së miri llojit të tyre të biznesit.

Çfarë ndodh me zonat ku nuk ka internet?

Drfat-ligji parashikon se në rastet e shkëputjes së interntit, do të jetë një procedurë e cila do të asistohet nga administrata tatimore për fiskalizimin e faturave të lëshuara ose vetë tatimpaguesi mund ta realizojë pasi të rilidhet me internetin.

Çfarë do të ndodhë me kasat fiskale në përdorim dhe kompanitë që i tregtojnë ato?

Duke qenë në fazën e konsultimit publik të ligjit, jemi në pritje të opinioneve dhe sugjerimeve nga kompanitë e autorizuara për mënyrën e përshtatjes së kasave fiskale me ligjin e ri.

Çfarë do të duhet ti kërkojë konsumatori biznesit në momentin që blen?

Ashtu siç përcaktohet në legjislacionin tatimor, si shitësi dhe blerësi kanë detyrimin për lëshimin dhe kërkesën e faturës; me këtë projekligj është parashikuar se konsumatori mund të verifikojë personalisht në kohë reale, nëse fatura e lëshuar është deklaruar pranë administratës tatimore.

A do të ketë ndonjë stimul për funskionimin e menjëhershëm dhe të shpejtë të sistemit?

Nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të bëhet një punë organizative intensive lidhur me trajnimin e tatimpaguese dhe punonjësve të administratës për të realizuar në kohë dhe me cilësi parashikimet e këtij projekligji; paralelisht do të ketë edhe një fushatë të plotë informimi për të gjitha palët dhe teknikalitetet që përfshin ky proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë