Nga Gazeta ‘SI’- Në prag të sezonit veror, Administrata Tatimore u ka rikujtuar bizneseve akomoduese, hotelet e bujtinat të deklarojnë siç duhet shërbimet e tyre.
Njoftimi thekson që emërtimi i shërbimit në faturën fiskale të nisë me emërtimin “dhomë” dhe të specifikohet me detyrim numri i ditëve dhe netëve të qëndrimit aty dhe të mos përdorin përshkrime si “paketë javore” apo “ditore”.
Tatimet kërkojnë gjithashtu që në faturat e lëshuara të jetë i ndarë qartë çmimi i përcaktuar për shërbimin e akomodimit nga shërbimet e tjera (restorant/çadra/shezlongë/pishinë), përveç rasteve kur shërbimi i akomodimit ofrohet në paketë të përcaktuar me shërbime shtesë. Subjektet që ofrojnë shërbimin e tyre dhe në stacione plazhi, duhet të mundësojnë lëshimin e faturës për çdo shezlong/çadër.
Nga ana tjetër u kërkohet aplikimi i qartë i shkallës së TVSH-së prej 6%, që aplikohet vetëm për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese.
Pak muaj më parë, qeveria vendosi çmimet e referencës për hotelet dhe të ngjashme, në një nisme kundër evazionit në fushën e turizmit. Duke garantuar se nuk do të kenë kontrolle tatimore gjatë sezonit turistik, qeveria vendosi që subjektet të deklarojnë të paktën shfrytëzimin e 60% të kapaciteteve gjatë verës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.