Biznes

Tatimet “në ndjekje” të ndërtimit dhe hidrokarbureve, 30 raste në prokurori

Sektori i ndërtimit dhe ai i hidrokarbureve kanë rezultuar me më shumë shkelje tatimore gjatë muajt korrik.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë kësaj periudhe (nga gati 1,900 subjekte të kontrolluara), ka konstatuar 803 shkelje të legjislacionit tatimor. 30 raste janë dërguar për ndjekje në prokurori dhe dy persona janë arrestuar.

Në një konferencë për shtyp drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj, deklaroi se institucioni që ajo drejton ka monitoruar dhe po vazhdon të monitorojë, regjistrimin e njësive akomoduese, deklarimin e punonjësve dhe respketimin e detyrimeve të tjera ligjore, për të vendosur rregullat e konkurencës së ndershme për të gjithë.

Krahas strukturave të Monitorimit në terren, Hetimi Tatimor, gjatë muajit Korrik ka referuar mbi 30 dosje në prokurori, kryesisht me subjekte të mëdha që operojnë në fushën e ndërtimit dhe të hidrokarbureve.

Sipas drejtoreshës, Plani Operacional do të vazhdojë për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e hidrokarbureve, ku janë të nevojshme vizita fiskale të thelluara për të identifikuar, parandaluar dhe luftuar evazionin fiskal, falsifikimin e dokumentave dhe ndërhyrjet në pompat e karburanteve.

Ajo që është identifikuar si shkelje e rëndë sipas drejtores së tatimeveve, në pikat e karburantit pompat automatike janë kthyer në manuale me qëllim mosdeklarimin e shitjeve, pasi regjimi manual i pompave, nuk e mundëson deklarimin.

Inspektimi, tha drejtoresha Ibrahimaj, do të mbulojë të gjithë territorin e vendit, në të gjitha pompat që mundësojnë ndryshimin e regjimit nga automatik në manual; për pompat e bllokuara nga strukturat e hetimit tatimor të evidentuara duke transmetuar në regjim manual; si dhe në të gjitha rastet e tjera.

Do të bëhet çertifikimi teknik dhe plumbçosja e tyre, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë nën mbikëqyrjen e Inspektoreve Tatimor.

Nga kontrolli i biznesve në muajin korrik, 108 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe organeve tatimore.

195 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 15 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).

92 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar. 42 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 26 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune. Kurse 82 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë