Taksa

Tatimet: Kompanitë e huaja që operojnë online, të paguajnë TVSH-në!

Nga Gazeta ‘SI’ –Të gjitha shoqëritë e huaja që ofrojnë shërbime elektronike për persona të patatueshëm në Shqipëri, përfshirë individë, biznese të vogla apo entitete që nuk janë të regjistruar për TVSH kanë detyrimin të regjistrohen për qëllime tatimore në vend.

Administrata Tatimore në vend njofton se këto kompani duhet të caktojnë një përfaqësues tatimor brenda territorit të Shqipërisë, të aplikojnë TVSH-në 20% mbi shitjet që kryejnë dhe të deklarojnë e paguajnë detyrimet përkatëse. Sipas Tatimeve, kjo masë synon të garantojë barazi tatimore midis operatorëve vendas dhe të huaj, të rrisë transparencën dhe të forcojë përmbushjen vullnetare të detyrimeve fiskale.

“Administrata Tatimore, në kuadër të implementimit të prioriteteve dhe masave të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 si dhe Strategjisë së Administratës Tatimore 2024–2028, ka ndërmarrë një sërë nismash që synojnë rritjen e transparencës, zgjerimin e bazës tatimore dhe forcimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve nga të gjithë tatimpaguesit. Në fokus të këtyre nismave është edhe ndërgjegjësimi dhe nxitja e përmbushjes vullnetare nga shoqëritë ndërkombëtare që ofrojnë shërbime elektronike ndaj personave të patatueshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët mund të jenë individë dhe/ose biznese/entitete të paregjistruar për TVSH.

Administrata Tatimore, rikujton të gjitha këto shoqëri, se në zbatim të dispozitave ato kanë detyrimin të caktojnë një përfaqësues tatimor në territorin e Republikës së Shqipërisë, të ngarkojnë TVSH-në në shkallën standarde prej 20% në shitjet e tyre ndaj personave të patatueshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të paguajnë detyrimin përkatës të TVSH-së përmes përfaqësuesit tatimor të emëruar.

Nëse shërbimet elektronike u ofrohen edhe personave të tatueshëm të regjistruar për TVSH në Republikën e Shqipërisë, këta të fundit kanë detyrimin të ngarkojnë dhe paguajnë TVSH-në përmes mekanizmit të auto-ngarkesës (pra, në këtë rast, shoqëritë e huaja nuk kanë detyrim të ngarkojnë TVSH përmes përfaqësuesit tatimor).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë