Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë për Gazetasi.al më shumë detaje rreth njoftimit se banesat që listohen online për qira BnB do të jenë subjekt i TVSH-së.
Pak ditë më parë, Gazetasi.al, bazuar në njoftimin e Booking.com, shkroi se të gjithë individët apo bizneset në Shqipëri që kanë listuar banesa në platformën Booking.com do të detyrohen të paguajnë TVSH për aktivitetin e tyre, nisur nga 1 nëntori 2023.
Fillimisht, Tatimet kanë konfirmuar se norma e TVSH-së do të jetë 20% edhe për këtë sektor.
LEXO EDHE:
– Kush jep banesa me qira në Booking në Shqipëri do të ngarkohet me TVSH
– Pr.ligji i ri për turizmin/ Kush jep apartament me qira duhet të regjistrohet në QKB. Në të kundërt merr gjobë
– Taksë progresive edhe për ata që fitojnë nga TikTok, Airbnb, Booking e platformat e tjera digjitale. Njësoj dhe për punonjësit ‘remote’
Në artikullin paraardhës, burime për Gazetasi.al thanë se platforma me seli në Holandë ishte në diskutime me ministrinë e Financave për hapjen e një qendre edhe në vendin tonë, duke u bërë rezident tatimor.
Këtë e konfirmon edhe DPT, duke thënë se Booking do të duhet të përcaktojë një përfaqësues tatimor rezident, i cili ka të drejte të veproje në emër të tij.
Mbi pikëpyetjen e tatimit të dyfishtë, Tatimet sqarojnë se kur personat që listojnë banesa në platformë i japin ato për të huaj nga vende me të cilat Shqipëria ka një marrëveshje, mund të bëjnë aplikimin e shmangies së tatimit të dyfishtë.
Njoftimi i parë për këtë ndryshim fiskal erdhi nga Booking.com, ku i kërkonte përdoruesve (hostes)shqiptarë numrin e NIPT.
Sipas shpjegimit, Booking thotë se “për shkak të ndryshimeve ligjore në Shqipëri, çdokush i regjistruar me një numër NIPT/NUIS aty, duhet t’ja dërgojë atë platformës që të mos aplikohet në komisionin e shërbimit dhe rezidenti e paguan në vetë në Shqipëri”.
Në të kundërt, kur personi që bën listime në platformë nuk ka një NIPT, TVSH-ja aplikohet në komision dhe Booking më pas ia paguan atë shtetit shqiptar.
Norma prej 20% pritet të ushtrojë presion në çmimet e këtij tregu në vend, ku Shqipëria prej kohësh cilësohej ‘si më e lira’.
Në të gjithë botën, shumica e qeverive kanë marrë masa kufizuese për tregun e qirave afatshkurtër njohur edhe thjesht si BnB (derivat i emrit të kompanisë AirBnB), pasi po rrezikon tregun tradicional imobiliar.
Pak javë më parë, ky treg u bë dhe subjekt i tatimit mbi të ardhura, ku sipas ndryshimeve të reja në ligjin e taksave, të ardhurat në Shqipëri, nga qiradhënie me Airbnb, Booking etj, do të taksohen me 15%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.