Ekonomi

Tarifat nga SHBA, një mundësi e re për rritjen e biznesit në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Eksperti i ekonomisë Ilir Ciko, një nga njohësit më të mirë të tregjeve ndërkombëtare mund të jetë ndër te paktët qe sheh anën pozitive për Shqipërinë të asaj që quhet lufta tregtare botërore pas vendosjes nga SHBA të tarifave doganore.

Për të dalë në një version të tillë, zoti Ciko nuk i referohet vetëm nivelit të ulët të kufizuar të shkëmbimeve tregtare që Shqipëria ka me SHBA. “Është një mundësi për të gjetur tregje të reja, por edhe një mundësi për të tërhequr në Shëipëri bizneset e vendeve me tërifa të larta doganore”- tha zoti Ciko në një intervistë për Gazetasi.al, ku vlerësoi se tarifa 10% nuk është një tarifë e lartë që dëmton tregtinë Shqipëri-SHBA.

Ilir Ciko, i cili ka një përvojë te pasur me bordet dhe koorparatat, si dhe ka qenë pjesë e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2022-2030, i sugjeroi qeverisë shqiptare të mos kundërpergjigjet me tarifa, pasi ai beson se kjo nuk do të jetë një situatë afatgjatë. 

Gazeta Si: Cilat do të jenë efektet e menjëhershme të tarifave nga SHBA në ekonominë shqiptare?

Ilir Ciko: Nëse me efekte menjëhershme nënkuptojmë një periudhë disa javore atëherë vëmendja kryesore duhet të sillet ndaj eksporteve tona më të rëndësishme drejt tregut të SHBA, dhe realisht lista e tyre është e kufizuar, pasi bimët mjekësore dhe preparatet e tyre, si dhe giza e çeliku përbëjnë thuajse ¾ e eksporteve tona drejt këtij tregu. Së pari, duhet patur parasysh se vendosja e tarifës minimale prej 10% për të gjitha produktet, përfshirë dhe importet nga Shqipëria, nuk do të thotë mbyllje e tregut dhe tarifa prej 10% nuk konsiderohet tepër e rëndë për efektet në tregti (psh. ne zbatojmë të njëjtën tarifë dhe për produkte të caktuara edhe 15% për importet nga SHBA). Për sa më sipër, efektet e shpejta do të ndihen më tepër në eksportet e gizës dhe çelikut si produkte më të ndjeshme ndaj çmimit, por që, njëkohësisht, kanë dhe fleksibilitet më të lartë në lehtësinë e zhvendosjes drejt tregjeve të tjera të botës. Nuk duhet harruar që, duke qenë se të gjithë prodhuesit sot përballen me këtë vështirësi, çmimi i tyre mund të shkojë drejt rënies. Sa i përket bimëve mjekësore, sigurisht do të ketë një ndikim por shumë më të kufizuar për shkak të vlerës minimale të tarifës dhe elasticitetit krejt të ndryshëm për këto produkte ndaj çmimit.

Gazeta Si: A mendoni se tarifat do të ndikojnë në çmimet e produkteve për konsumatorët shqiptarë? Nëse po, si?

Ilir Ciko: Në periudhën afatshkurtër vendosja e tarifave të reja nuk do të sjellë efekte të drejtpërdrejta, tregtia me SHBA është më pak 4% e tregtisë sonë me botën dhe, siç e përmenda, e kufizuar në disa produkte kryesore. Por vendosja e një mekanizmi të ri në funksionimin e ekonomisë kryesore të botës, pështjellimet dhe kaosin që kjo gjë sjell në tregjet globale dhe veçanërisht në ato financiare, sigurisht që do të ketë pasoja afatgjata të përmasave që është e vështirë të vlerësohen në këtë fazë, pa llogaritur këtu efektet e mundshme të përshkallëzimit të konflikteve apo hapjen e fronteve të reja, që historia na tregon se shpesh bulojnë në kushtet e luftrave tregtare.

Gazeta Si: Çfarë strategjish mund të ndihmojnë eksportuesit shqiptarë për t’u përshtatur me realitetin e tarifave të reja? 

Ilir Ciko: Kemi plot e madje shumë strategji për të menduar për të tjera. Mendoj se, së pari është çështje e biznesit që duhet të jetë vazhdimisht në kërkim të tregjeve të reja dhe asnjëherë të mos e marrë të mirëqenë që suksesi në një treg është garanci për vazhdimin e tij. Përshtatshmëria dhe qëndrueshmëria janë sfida që do të jenë përherë e më të rëndësishme në të ardhmen. Nga ana tjetër, bizneset duhet ta shohin situatën e krijuar si një mundësi e jo thjesht problem. Vendosja e tarifave shumë më të larta nga SHBA për vendet e tjera, përfshirë ato to BE, mund të jetë një mundësi e artë për ata që sot do mendojnë për të prodhuar në Shqipëri produkte që sot prodhohen në këto shtete. Diferenca e lartë e tarifave kur këto produkte eksportohen në SHBA, e vendos Shqipërinë dhe bizneset që operojnë këtu, në një pozitë shumë favorshme, madje të ofruar falas.

Gazeta Si: Si do të ndikojnë tarifat në marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe SHBA-së në afat më të gjatë?

Ilir Ciko: Mendoj se tarifa 10% për eksportet shqiptare nuk do të ketë efekte shqetësuese për tregtinë mes dy vendeve. Ndoshta mund të kemi një rënie të eksportit të gizës e çelikut. Pasojat afatgjata do të varen nga ecuria e ekonomisë amerikane, kohëzgjatja e zbatimit të sistemit të ri tarifor dhe, sigurisht, sigurisë së ekonomisë globale dhe paqes në botë.

Gazeta Si: A ka mundësi që Shqipëria të negociojë një përjashtim nga këto tarifa dhe çfarë hapash duhet të ndjekin autoritetet shqiptare?

Ilir Ciko: Nuk mendoj se ka vend për ndërhyrje apo kundërpërgjigjje tregtare. Përpos kësaj, druaj se tarifat e reja do të jenë të përkohshme.

Gazeta Si: Cili është mendimi juaj mbi ndikimin e këtyre tarifave në investimet e huaja në Shqipëri?

Ilir Ciko: Siç e përmenda më sipër, ekzistenca e diferencimit në tarifat që zbatohen ndaj vendeve të ndryshme ku Shqipëria është shumë më e favorizuar se vendet e BE, Kina etj. mund ta kthejë Shqipërinë në një mundësi për të investuar me synim eksportin drejt SHBA, në kushtet e një përfitimi që ofrohet falas në treg. Por tërheqja e investimeve dhe zhvendosja e tyre është komplekse dhe kushtëzohet nga mjaft faktorë të tjerë të rëndësishëm që dalin përtej këtij diskutimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë