Gazeta Si – Aksionet e kompanive kryesore të teknologjisë u shembën të enjten, pas njoftimit të Donald Trump për tarifa të reja masive.
Kur u hapën bursat, grafikët e Wall Street u ngjyrosën me të kuqe. Për çdo aksion që fitonte vlerë, dhjetë të tjerë po binin.
Kompania “Apple”, një nga më të goditurat, pësoi një rënie prej 9%, duke fshirë mbi 293 miliardë dollarë nga vlera e saj e tregut.
Nëse humbjet mbeten në të njëjtin nivel deri në mbylljen e bursës, do të shënohet rënia më e madhe ditore për Apple që nga marsi 2020.
Nuk ishte vetëm Apple që u trondit. Microsoft ra me 3%, Meta humbi 8%, Amazon 9%, Google 4% dhe Tesla 7%, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve mbi ndikimin e tarifave në industrinë e teknologjisë.
Vlera e aksioneve amerikane humbi triliona dollarë, duke goditur drejtpërdrejt edhe kursimet pensionale të qytetarëve të zakonshëm, përfshirë llogaritë e tyre.
Ekspertët e tregtisë parashikojnë gjithashtu një rritje të çmimeve për konsumatorët, pasi kompanitë e mëdha do t’i transferojnë kostot shtesë tek blerësit.
Vendimi i Donald Trump për tarifat është “brutal dhe i pabazuar”. Kështu u shpreh presidenti francez Emmanuel Macron teksa priti në Elysee përfaqësues të kompanive franceze të prekura nga taksat e reja doganore amerikane.
Tarifat do të kenë një “ndikim të madh” në ekonominë evropiane, paralajmëroi presidenti francez, sipas të cilit amerikanët do të dalin “më të dobët dhe më të varfër”. Më pas ftesa për kompanitë franceze: “Ndaloni investimet në SHBA”.
Ky zhvillim tregon se tensionet tregtare të shkaktuara nga tarifat e Trump mund të kenë pasoja të mëdha për tregjet financiare dhe sektorin e teknologjisë në muajt e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.