Nga Gazeta ‘Si’- Raporti i atyre të dyve, në fakt, u fut në një spirale krize qysh vitin e shkuar porse ndasitë në mendime, i konsideruan hiç më shumë se asgjë që nuk mund të tejkalohej kollaj.
Megjithatë, një vendim i dalë sëfundmi nga Shtëpia e Bardhë për vendosjen e tarifave, nuk ka trazuar vetëm shtetet e mëdha. Efektet e tij u shtrinë dhe këtej kufirit duke rindezur prej disa ditësh ‘krizën e fjetur’ mes Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës.
Shkak për këtë u bë një kërkesë që presidentja Vjosa Osmani bëri ndaj kryeministrit Albin Kurti, me të marrë vesh lajmin për tarifat e vendosura nga Trump.
Ndonëse Trump e tarifoi vetëm 10% Kosovën, një përqindje shumë më e ulët krahasuar me shtetet e tjera, Osmani kërkoi që Kurti të hiqte tarifat e importit që vetë Kosova ka ndaj të gjitha mallrave amerikane.
Today, I formally requested the Government of Kosovo to suspend import tariffs on all U.S. products—an important step to deepen economic ties with our closest ally and to send a clear message: Kosovo is ready for a more robust relationship with the United States, with a clear… https://t.co/zqIcz2FVfR
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) April 3, 2025
Me arsyetimin se ky hap do të thellonte lidhjet ekonomike me Amerikën, ajo tha se ky zhvillim duhej parë si një objektiv i politikës së jashtme që do riafirmonte marrëdhëniet Kosovë-SHBA, të cilat prej disa kohësh janë tipizuar si të ulëta.
Por, fakti që Osmani e bëri këtë kërkesë në rrjetin social X fill pasi kërkesën zyrtare e kishte dërguar në zyrën e Albin Kurtit, nuk u mirëprit nga qeveria në detyrë e këtij të fundit.
Asaj iu përgjigj pa humbur kohë ministri në detyrë i ekonomisë, Hekuran Murati duke i hequr ‘notë vërejtjeje’ se shtetet serioze, sipas tij, i trajtojnë këta çështje publikisht vetëm pasi merret një vendim.
Kaq u desh që deklaratës së tij t’i replikonte me tone kritikuese këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.
Ai e cilësoi Muratin si “njeriun e fundit” që sipas tij, mund të flasë për seriozitetin në këtë shtet, duke e akuzuar se sipas tij, nuk kupton asgjë nga udhëheqja shtetërore.
Mandej, në atë që u duk më shumë si një mesazh në vetë të parë për Kurtin nga Osmani, Kupina shkroi se politika e jashtme përcaktohet nga Presidenca dhe se veprimet që lidhen me SHBA-në, shkojnë përtej një çështje ekonomike të ditës.
Ndonëse nuk pati më replika të mëtejshme për do ditë, qetësia nuk zgjati shumë.
Kësaj here, vetë Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë për një media në Kosovë reagoi ashpër mbrëmjen e 13 prillit, me zë dhe figurë, kundër politikave të Kurtit.
Ajo e quajti të papranueshme faktin që Kosova mban tarifa ndaj aleatit të saj më të rëndësishëm. Dhe, për të theksuar më shumë gabimin e Kurtit, situatën e barazoi me Serbinë.
Me tone të ashpra ajo tha se për të nuk ka turp më të madh se sa të vendosësh tarifa ndaj aleatit më ekzistencial të Kosovës, e ndërkohë, të mos vendosësh asnjë të tillë për Serbinë.
Ndërsa tha se kjo çështje nuk lidhet vetëm me politikat fiskale, por me pozicionimin strategjik të vendit, Osmani riktheksoi rishtazi ‘fuqinë protokollare’ të saj.
“Unë jam Presidente e Kosovës dhe mbroj interesin e këtij shteti. Propozimet që vijnë nga qytetarët duhen dëgjuar, e aq më shumë ato që vijnë nga Presidentja,” shtoi ajo duke thumbuar Kurtin.
Në fakt, propozimi i saj për pezullimin e tarifës doganore as nuk tejkalon kompetencat e saj dhe as nuk shkel rregullat protokollare. Gjithaq, edhe publikimi në rrjete sociale i këtij propozimi.
Por, një lexim i situatës përtej këtyre replikave në rrjete sociale, sugjeron se tonet e ashpra, flasin për një aspekt tjetër të marrëdhënieve të brendshme. Madje, ata thjesht shërbejnë si parapirje për një konflikt eventual që mund të vijë nesër(15 prill) në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
I gjithë ky debat po ndodh në një dritë të re të zhvillimeve politike dhe sfondi ka shumë rëndësi për atë që pritet të ndodhë mandej.
Në spektrin politik, nuk shihet kurrfarë vullneti për bashkëpunim dhe as për kompromise realiste porse disa populizmave dhe një gjuhë agresive e cila sipas analistëve politikë, ul besueshmërinë e qytetarëve ndaj insituticioneve të Kosovë.
Kurti nuk ka fuqinë politike që kishte në 2021-shin, kur fitoi me mbi 50 për qind të votave zgjedhjet parlamentare, dhe sakaq, as Osmani e cila ishte personi më i votuar në ato zgjedhje.
Tashmë pozitat e tyre nuk janë asfare njësoj. Kuotat e tyre politike janë dobësuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.