Politike

Tarifat e Trump, Berisha: Pas 11 Majit do të negociojmë me SHBA-në

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i PD Sali Berisha premtoi se nëse do fitojë zgjedhjet, do të zhvillojë negociata me SHBA-në për tarifat e vendosura nga presidenti Trump për produktet shqiptare.

I pyetur lidhur me tarifën prej 10% që Trump vendosi për Shqipërinë, Berisha tha se ishte optimist për faktin që krahasuar me shtetet e tjera, për Shqipërinë dhe Kosovën janë aplikuar tarifa më të ulëta.

Ai theksoi gjithashtu se tarifat janë një çështje globale dhe sipas tij nuk mund të trajtohen në mënyrë të njëanshme.

“Qeveria e PD-së, pas 11 majit, do të zhvillojë negociata të hapura dhe transparente me qeverinë e SHBA-së për tarifat. Jam optimist, pasi është vënë re që për Shqipërinë dhe Kosovën janë aplikuar tarifa më të ulëta në krahasim me vendet e tjera. Çështja e tarifave nuk mund të trajtohet në mënyrë të njëanshme, pasi ndikimi në prodhim është i madh,” shtoi ai.

Berisha tha se strategjia ekonomike e PD-së do të fokusohet në fuqizimin e prodhimit vendas, duke theksuar se “Made in Albania” do të jetë një prioritet kryesor për ekonominë e vendit.

“Pas 11 majit, do të nisim negociatat për heqjen e tarifave. Negociata, negociata, negociata,” përfundoi kreu i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë