Gazeta Si - Në disa raste ditët e fundit, presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar Panamanë për aplikimin e tarifave të larta ndaj anijeve amerikane që kalojnë përmes Kanalit dhe ka kërcënuar se do të rimarrë kontrollin ndaj saj.
Komentet e Trump shkaktuan një reagim të ashpër nga presidenti panamez, José Raúl Mulino, por në praktikë nuk ka vërtet asnjë shans që Shtetet e Bashkuara të rimarrin kontrollin e Kanalit, të cilin e ndërtuan më shumë se një shekull më parë.
Konkretisht, Trump ka kritikuar tarifat e tranzitit të vendosura për anijet amerikane që përdorin Kanalin “sidomos duke pasur parasysh bujarinë e jashtëzakonshme që i është dhënë Panamasë nga Shtetet e Bashkuara”.
Ai tha se "kur presidenti Jimmy Carter e dha atë me marrëzi, për një dollar, ishte përgjegjësia e vetme e Panamasë për ta menaxhuar atë, jo Kina apo dikush tjetër", më vonë, sipas tij, Kanali mund të përfundonte "në duar të këqija".
Dhe ai përfundoi duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara, duhet "të marrin përsëri Kanalin, sepse ai është thelbësor për tregtinë e SHBA dhe për vendosjen e shpejtë të Marinës në rast të një emergjence sigurie. Pushteti vendor do të duhet të pranojë kërkesën tonë”.
Në vitin 2017, Panamaja filloi një seri negociatash tregtare me Kinën, e cila sot kontrollon dy nga pesë portet ngjitur me Kanalin.
Dhe investimet kineze në infrastrukturë dhe zona tregtare e kanë bërë Pekinin një partner të rëndësishëm ekonomik të Panamasë.
Reagimi i presidentit panamez
Presidenti panamez José Raul Mulino, i cili mori detyrën në korrik, iu përgjigj Trump duke thënë se Kanali "nuk ka kontroll, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë" as të Kinës, as të ndonjë fuqie tjetër dhe se "çdo metër katror i Kanalit i përket Panamasë. [...] Sovraniteti dhe pavarësia e vendit tonë janë të panegociueshme. Çdo panamez, këtu dhe kudo në botë, e mbart atë në zemrat e tyre dhe është pjesë e historisë sonë të luftës dhe pushtimit të pakthyeshëm".
Trump u përgjigj në rrjetin e tij social, duke thënë “Do të shohim!”, si dhe duke publikuar një imazh të një rruge ujore dhe një flamur amerikan.
Historia e Kanalit Panamez
Kanali i Panamasë lidh Oqeanin Atlantik dhe Paqësor. Projekti ambicioz u tentua për herë të parë nga Spanja në fillim të viteve 1500, më pas nga Franca dhe në fund nga Shtetet e Bashkuara, por mbeti në letër për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve teknike në atë kohë.
U desh të pritej deri në shekullin e 19-të. Punimet e gërmimit filluan në 1879 nga një kompani franceze nën udhëheqjen e Ferdinand de Lesseps, i cili kishte ndërtuar tashmë Kanalin e Suezit.
Megjithatë, epidemia e malaries dhe etheve të verdha, e cila shkaktoi vdekjen e rreth 22 mijë punëtorëve, detyroi të ndërpritet puna.
Në vitin 1901, Shtetet e Bashkuara morën autorizimin nga qeveria kolumbiane (Panamaja ishte pjesë e Kolumbisë në atë kohë) për të ndërtuar dhe funksionuar Kanalin për njëqind vjet.
Në vitin 1903 qeveria e Kolumbisë vendosi të mos e ratifikojë marrëveshjen. Shtetet e Bashkuara (nën drehtimin e presidentin Theodore Roosevelt) dërguan një anije luftarake dhe kërcënuan me ndërhyrjen e ushtrisë.
Kështu, Panamaja u bë një republikë e pavarur, por nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara, të cilat morën me qira zonën e Kanalit dhe autorizimin për të filluar gërmimet.
Punimet, të ndërmarra nga inxhinierët ushtarakë amerikanë, filluan në vitin 1907 dhe përfunduan më 3 gusht 1914.
Kanali u kthye përfundimisht në vendin e Amerikës Qendrore në vitin 1999, bazuar në një marrëveshje të nënshkruar nga presidenti demokrat Jimmy Carter në vitet 1970.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.