Gazeta Si – Ka tërhequr vëmendjen orët e fundit një deklaratë e drejtorit sportiv të Lacios, Igli Tare. Ai ka thënë se klubet më të mëdha në Itali, si Juventusi, Interi, Milani apo Roma kanë dështuar teknikisht, por vazhdojnë të mbijetojnë, sepse sistemi italian i futbollit ka nevojë për ta.
Tare ka mbajtur një leksion në ‘Università Luiss’ në Romë, ku ka folur fillimisht për pronësinë e shumëfishtë të skuadrave të dorës së dytë. “Futbolli me shumë pronarë nuk është aktual vetëm në Itali. Ka shumë fonde në nivel botëror, që kanë blerë shumë klube edhe në Itali.

Zotërojnë deri në gjashtë apo shtatë klube në vende të ndryshme. Nuk është diçka e gabuar, duhet të ketë një fund të dytë që të jetë i dobishëm për kompaninë. Por, nëse ke një klub me ambicje për të shkuar në futbollin e madh, në Serinë A për shembull, bëhet problem. Në një rast të tillë, De Laurentis duhet ta shesë Barin ndoshta pas 7 muajsh”, – ka theksuar Tare.
Drejtuesi shqiptar ka kritikuar futjen e fondeve ndërkombëtare në botën e futbollit, ku ka dhënë edhe mesazhin për klubet e mëdha: “Kanë mbetur 4 klube me pronësi familjare, Udineze, Atalanta, Lacio dhe Napoli. Jam më shumë për këtë lloj administrimi, fondet kanë vetëm interes tregtar dhe humb bukuria e futbollit: pasioni, dashuria.
Fondet punojnë me algoritma dhe nuk duan t’ia dinë për historinë e skuadrës dhe të qytetit. Jam fans i shkollës së vjetër. Çfarë i mungon futbollit? Drejtues klubesh me kontrata afatgjata. Merrni shembullin tim, jam një nga drejtuesit më të vjetër në Serinë A, është viti im i 15-të te Lacio. Kam fatin të punoj në një klub me një administrim virtuoz.
Sot ka klube, edhe të nivelit më të lartë, si Juventusi, Roma, Milani dhe Interi, që teknikisht kanë falimentuar. Por ata mbijetojnë nga fakti se sistemi ka nevojë. Është shumë e rëndësishme të kesh një administrim afatgjatë në klub, me projekte të rëndësishme për të mirën e klubit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




