Futboll

Tare mohon zërat që e lidhin me Dinamon, formalitet ardhja e Di Biaxhos te blutë

Gazeta Si – Pas largimit nga Lacio, Igli Tare është parë shpesh në Shqipëri, ku po kalon pushimet, por jo pak herë është parë edhe në stadiume. Rasti i fundit ishte ai i Korçës, ku në krah të drejtorit sportiv ishte Luixhi Di Biaxho, ish-futbollisti i njohur italian.

Di Biaxho pritet të marrë drejtimin e Dinamos, zyrtarizimi është vetëm çështje kohe, pasi palët kanë arritur një marrëveshje. Klubi kryeqytetas është pjesë e një projekti mjaft ambicioz, ku në fokus është edhe bashkëpunimi me Mançester Sitin për një akademi moderne. Si pjesë e këtij projekti u përfol edhe Igli Tare, por ai ka mohuar gjithçka.

Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Lacios. Gazeta Si, 28 korrik 2023

‘Nuk ka asgjë të vërtetë, po shijoj pushimet’, – ka thënë Tare për ‘LaLaziosiamonoi’. Ndoshta edhe këtë radhë, siç ka ndodhur më parë, Tare ka bërë rolin e ndërmjetësit për Di Biaxhon te Dinamo, duke qenë se ka lidhje të forta me Italinë. Para Dinamos, emri i ish-kapitenit kuqezi u lakua edhe te Partizani, por edhe në atë rast nuk pati asnjë konfirmim.

Tare duket se ka plane të tjera. Ka zëra që flasin se ai po qëndron më shumë në Shqipëri, pasi në të ardhmen mund të kandidojë për kreun e FSHF-së dhe statuti kërkon që të jetë rezident në vendin tonë. Në anën tjetër u fol edhe për një takim sekret me pronarin e Çelsit në Palasë.

Çdo variant mbetet i hapur, por për momentin shanset më të mëdha janë që Tare të vazhdojë të bëjë drejtorin sportiv në një klub tjetër europian. Shqipëria mund të presë edhe pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë