Gazeta Si – Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ka dalë hapur në mbrojtje të sulmuesit Çiro Imobile, pas dështimit të Italisë për të shkuar në Botërorin e Katarit. Drejtuesi shqiptar ka theksuar se për këtë dështim nuk mund të fajësohet Imobile, që për të është sulmuesi më i mirë italian i 15 viteve të fundit.
“Mendoj se është e turpshme ta vësh në diskutim Imobilen, – ka thënë Tare për Dazn para ndeshjes me Sasuolon. – Ai është sulmuesi italian më i fortë i 10-15 viteve të fundit. Nuk e them unë, e thonë numrat dhe ajo çfarë ai ka bërë.

Nuk ka nevojë që të mbrohet, pritshmëritë janë të larta si për të, ashtu edhe për Italinë kampione Europe. Eiminimi në Play off nuk ishte vetëm një humbje e kombëtares, por e gjithë lëvizjes futbollistike italiane. Dhe të bësh Imobilen ‘kokë turku’ do të ishte një tjetër humbje”.
Imobile shpesh është kritikuar për rendimentin e ulët me Italinë, por trajneri Mançini gjithmonë e ka mbrojtur, duke thënë se ai punon shumë për skuadrën. Duhet theksuar se vitet e fundit Italia ka vuajtur jo pak për sulmues të kalibrit botëror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




