Futboll

Tare kërkon talentin kosovar te Lacio

Në Itali edhe për këtë vit, Igli Tare u vlerësua si një nga drejtorët më të mirë sportiv. Ish-sulmuesi kuqezi që prej disa vitesh është në krye të klubit të Lacios është i njohur në Itali për goditjet e zgjuara dhe “low cost” në merkato. Janë të shumtë futbollistët që kanë shkuar për shifra fare të vogla te Lacio dhe më pas janë shitur për disa fish më të larta. Milikoviç Saviç është shembulli më i fundit, të cilin Igli Tare e mori në Belgjikë për jo më shumë se 3 milionë euro dhe tashmë është në prag të shitjes për jo më pak se 100 milionë euro.

Igli TARE

Por Tare është i vendosur që të vazhdojë me këtë politikë të tij. Sërish në Belgjikë vijon “gjuetia” e strategut shqiptar. Këtë herë flitet për një futbollist shqiptar që ndiqet me shumë vëmendje nga disa prej klubeve më të mëdha në Europë. Edon Zhegrova që nuk pranoi të luante për kombëtaren e Shqipërisë, por zgjodhi Kosovën, është në prag të hapit të madh në karrierë, njësoj ashtu siç më herët bëri edhe Milot Rashica. Duke parë këtë situatë dhe i besuar shumë intuitës së tij, Tare është hedhur në sulm për ta veshur bardhekaltër sulmuesin shqiptar. Pas fjalëve të Ujkanit që e cilësoi atë si “Mesin e Kosovës” dhe se me Gatuzon do të rritej shumë, Tare ka intensifikuar punën e tij.

Mediet italiane shkruajnë se Lacio i ka nisur kontaktet e para me klubin belg të Genk, që ka në pronësi kartonin e Zhegrovës. Sipas “Transfermarket” vlera e kartonit të Zhegrovës momentalisht është 1.5 milionë euro. Por Lacio është e gatshme të paguaj deri edhe në 3 milionë euro për talentin kosovar, pasi Tare ka shumë besim në rritjen e sulmuesit 19-vjeçar. Sot është dita e fundit e merkatos dhe do të duhej një mrekulli që ky transferim i bujshëm të mbyllej në orët në vazhdim, por me shumë gjasa Tare pritet të gjejë akordin me Zhegrovën dhe Genk, në mënyrë që në qershor ta marrë në Romë, duke shmangur kështu ndonjë akand të mundshëm në çmim.

Në rast të një kalimi të mundshëm te Lacio, Zhegrova do i bashkohej aty kolonisë së shqiptarëve. Në klubin lacial për momentin janë Tomas Strakosha nga kombëtarja shqiptare, Valon Berisha nga përfaqësuesja e Kosovës dhe Riza Dyrmishi që ka zgjedhur të përfaqësojë Danimarkën. Por edhe më herët Lacio është dalluar si një klub shumë i afërt për futbollistët shqiptarë, teksa Lorik Cana, Etrit Berisha, apo edhe Valon Behrami kanë veshur fanellën e kësaj skuadre për disa vite me radhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë