Enti Rregullator i Energjisë ka certifikimin gazsjellësin Trans Adriatik si operator i pavarur i transmetimit të gazit natyror në Shqipëri.
Vendimi për këtë liçencimi është botuar ditën e enjte në ‘Fletoren Zyrtare’. Në vendim citohet se ERE ka vendosur të licencojë TAP AG Albania për një afat 25-vjeçar nga data e fillimit të operimit.
Në bazë të vendimit Shoqëria duhet të paraqesë pranë ERE jo më vonë se 12 muaj nga fillimi i operimit të gazsjellësit dokumentacionin e plotë që tregon titujt e pronësisë mbi asetet që ka për të kryer funksionet nën licencën e kërkuar në territorin e Shqipërisë.
TAP në dhjetor të 2018-ës paraqiti pranë ERE-s aplikimin për t’u pajisur me licencë. Kurse ERE në atë kohë i kërkoi kompanisë së gazjellësit që të paraqesë një sërë dokumentesh, të cilët duhet të plotësojnë dosjen për të marrë licencën.
Gazsjellësi Trans Adriatik AG Albania rezulton i regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit si degë e shoqërisë së huaj aksionare (sh.a).
Gazsjellësi TAP me vlerë 4.5 miliardë euro është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili është një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Europian.
Gazsjellësi TAP është një nga investimet më të rëndësishme në Shqipëri duke i dhënë benefite të konsiderueshme ekonomisë shqiptare.
TAP është një projekt prioritar i Bashkimit Europian dhe i Komunitetit të Energjisë, një organizëm ndërkombëtar që mbledh sëbashku BE dhe fqinjët e tij për të krijuar një treg pan- Europian energjie të integruar.
Gazsjellësi prej 878 kilometrash do të nisë në kufirin Greko/Turk, përmes Shqipërisë dhe, pasi të kalojë nën detin Adriatik, do të përfundojë në Italinë e Jugut. Kjo konstituon segmentin final të Korridorit Jugor të Gazit, një rrugë furnizimi për të transportuar gaz prej detit Kaspik në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




