Teknologji dhe Inovacion

Tani mund të flisni me ChatGPT dhe ai do t’u kthejë përgjigje

Tani mund të flasësh me zë të lartë me ChatGPT dhe të dëgjosh se si chatbot-i u kthen përgjigje.

OpenAI, startup-i që qëndron pas chatbot-it jashtëzakonisht të popullarizuar, njoftoi të hënën se po nxjerr veçori të reja duke përfshirë aftësinë për t’i lejuar përdoruesit të përfshihen në një bisedë zanore me ChatGPT.

Në një postim në blogun e kompanisë, OpenAI tha me shaka se kjo veçori e re mund të përdoret për të kërkuar një histori para gjumit ose për të zgjidhur një debat në tryezën e darkës.

Veçoritë e zërit nga OpenAI kanë ngjashmëri me ato që ofrohen aktualisht nga asistentët zanorë Alexa ose Siri.

Në një demonstrim të përditësimit të ri, një përdorues i kërkon ChatGPT të tregojë një histori dhe menjëherë nis të rrëfejë një histori me zë të lartë.

OpenAI tha gjithashtu se po nxjerr një veçori të re që lejon robotin t’u përgjigjet kërkesave që paraqiten si një imazh. Për shembull, mund të bëni një fotografi të përmbajtjes së frigoriferit tuaj dhe t’i kërkoni ChatGPT t’ju ndihmojë të krijoni një plan vakt duke përdorur përbërësit që keni.

Veçoritë e reja do shfaqen në aplikacion brenda dy javëve të ardhshme për abonentët me pagesë të shërbimeve Plus dhe Enterprise të ChatGPT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë