Treg

Tamponi te dy privatët 12 mijë lekë, Autoriteti i Konkurrencës: Kemi indicie. Por ende asnjë hetim

Kur aksesi tek tamponët në shtet dhe përgjigjemarrja e tyre është një "odise" më vete në rrugëtimin e një pacienti me COVID-19, kur disa qytetarë nuk arrijnë t'i bëjnë e të tjerë e marrin përgjigjen kur shërohen, apo disa të tjerë akoma, janë larguar nga jeta pa përgjigjen e tamponit; aksesin në privat e pengon pamundësia financiare.

LEXO EDHE:
"Qeveria të vendosë çmim tavan për tamponin, ose të jenë falas"
I paguajmë testet anti Covid disa herë më shumë se Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi

Tamponi në privat kushton 12.000 lekë (të reja), çmim shumë i shtrenjtë për xhepin e një nëpunësi shqiptar që rrogën minimale e ka 26 000 lekë dhe rrogën mesatare tek 60 mijë lekëshi. Çmim konsiderueshëm më i lartë se në vendet e rajonit dhe Europës ku tamponi varion nga 20 euro në 70 euro.

Shumë ekspertë ia kanë faturuar barrën shtetit që duhet të vendosë një çmim tavan për çmimet e tamponëve që tregtohen në klinikat e licensuara, përderisa është vetë qeveria që i ka licensuar këto klinika ose ti rimbursojë që pacientët ti kenë falas ato.

Ekspertët madje, akuzojnë qeverinë për oligopole në këtë drejtim.

Ndërsa Autoriteti i Konkurrencës që heton pozitën dominuese në treg dhe marrëveshjen mes kompanive që vendosin të njëjtin çmim në bashkëpunim për të njëjtin produkt, nuk e ka thënë fjalën e saj, teksa bëhet fjalë për një produkt emergjent në kushtet e pandemisë.

Gazeta “Si” u interesua pranë Autoritetit të Konkurrencës nëse ka nisur ndonjë hetim paraprak për tregun e tamponëve apo do të nisë së shpejti.

Mes shumësisë së fjalëve pa një drejtim të caktuar, Konkurrenca thotë se nuk mund të shprehet në mënyrë shterruese, por ka marrë indicie nga mediet për këtë çështje.

Në të njëjtën kohë thotë se çmimin mund ta ketë vendosur edhe Agjencia e Barnave pas licencimit.

Por, jo! Agjencia e Barnave sqaron për Gazetën “Si” se “Pajisjet mjekësore nuk janë çmime referuese. Dhe kjo mbështetet në ligjin e pajisjeve mjekësore 89/2014, datë 17.7.2014, “Për pajisjet mjekësore” i ndryshuar me ligjin 21/20”.

Kjo do të thotë që çmimi prej 12 000 lekësh për një tampon është vendosur nga kompanitë respektive.

Autoriteti i Konkurrencës më herët hetoi tregun e vaksinave anti grip dhe tregun e produkteve paramjekësore, maska e dezinfektantë. Në rastin e parë vërejti se kompania që importonte vaksinën e shpërndante vetëm në rrjetin e farmacive ku ishte pronar me 75% të aksioneve dhe në rastin e dytë për çmime të shtrenjta duke vënë në dukje edhe kushtet e emergjencës në mbrojtje të konsumatorit.

Por, pikërisht në të njëjtat kushte, teksa njerëzit me simptoma COVID lodhen duke u lutur në shtet për të bërë tamponin e presin duke u dergjur për të marrë një përgjigje, nuk i drejtohen dot privatit sepse nuk ua mban xhepi, në bazë të ligjit për konkurrencën, Autoriteti duhet të nisë një hetim të tregut të tamponëve, ku dy kompani që kanë të drejtën e këtij testi, kanë të njëjtin çmim për këtë produkt.

Kompanitë private që ofrojnë testin e COVID-19 që janë licencuar më 10 gusht nga Ministria e Shëndetësisë janë Spitali Amerikan dhe Laboratori Intermedica.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë