Eksperti në fushën e ekonomisë Zef Preçi thotë se vendimi i përbashkët i 4 laboratorëve privatë në të njëjtën kohë për të ulur çmimin në të njëjtën masë të analizës PCR (tamponit) është fiksim çmimi që thyhen ligjin e konkurrencës.

“Është një marrëveshje mes subjekteve të ndryshëm në treg për të fiksuar çmimin dhe ndarë tregun dhe si e tillë është plotësisht e ndëshkueshme nga ligji për mbrojtjen e konkurrencës në treg”, thotë Preçi.
Sipas ekspertit Preçi, për fat të keq i gjithë procesi që nga blerja e tamponeve jashtë vendit deri tek licensimi i laboratorëve privatë për ofrimin e këtij sherbimi nuk është transparent, nuk ka standarde të njohura e të verifikueshme, dhe kështu rrjedhimisht dëmtohen financiarisht dhe jo vetëm, qytetarët shqiptarë të interesuar, të sëmurë ose jo.
Për të, në këtë rast dhe në raste të ngjashme teksa konsumatori shqiptar penalizohet padrejtësisht, shkelësi më i madh është vetë qeveria, jo sektori privat sepse “operatori ekonomik privat kur hyn në treg qëllimin e vetëm të tij ka maksimizimin e fitimit, mundësisht edhe 1000 %”.
Preçi gjykon se qeveria mallin “tampon” duhet ta trajtojë si çdo medikament apo mall tjetër mjekësor, dmth si ilaçet për HIV-in, për tumoret, etj sepse qarkullimi i tyre në treg është i rregulluar nga shteti, dmth nuk mundet të tregohet lirisht përsa i takon standardit të sigurisë, ashtu edhe për sa i takon çmimit.
“Qeveria duhet të vendosë dhe të garantojë standardet e sigurisë, duhet të ofrojë transparencë. Kompanitë që licensohen për këtë produkt, më parë duhet të kenë paraqitur stadardet përkatëse (sepse ato nuk janë vetë prodhues të tapmonëve) që duhet të plotësojnë këta tamponë; e mandej të lidhen e nënshkruajnë kontrata me kompanitë në botë, produktet e të cilave lejohen nga qeveria shqiptare të hyjnë në tregun e këtushëm. Kështu që me së pari mbrohet konsumatori dhe grantohet siguria e përmbushjes së qëllimit të këtyre mallrave. Sepse mund të blesh një tampon në Kinë me 2 euro pa kurrëfarë standardi dhe marzhi i gabimit mund të jetë psh 80%. Me vendosjen e standardeve, pasi produkti vjen, kontrollohet nga qeveria e më pas vendoset edhe çmimi tavan dhe marzhi i fitimit të kompanive.”- shpjegon Preçi.
Në këtë mënyrë kompanitë si kudo në botë konkurrojnë midis tyre, shpjegon ai, dhe jo nxitojnë të rrjepin konsumatorin, në rastin tonë pacientët e Covid-19, apo ata që detyrohen të testohen për shkak të udhëtimeve jashtë vendit.
Preçi akuzon se kjo katrahurë ndodh sepse qeveria është blerë nga oligarkët.
“Në treg ka spekullim sepse ka rregullim të keq, është blerë vendim-marrja. Qeveria i lejon kompanitë të hedhin në treg pa i çertifikuar produktet apo pa i detyruar që të njoftojnë përdoruesit për origjinën, sigurinë, rreziqet potenciale, etj. Qeveria i ka licensuar pa i çertifikuar. Qeveria duhet të bëjë publik standardin. Çfarë janë këta tamponë, nga vijnë, çfarë garancie kanë? Vetëm kështu mbrohet konsumatori”- shprehet për gazetën “Si” eksperti Preçi.
Për të, kur qeveria nuk ka përmbushur tagrin, duhet të ndërhyjë Autoriteti i Konkurrencës, të ndëshkojë pa hezitim shkelësit e ligjit për konkurrncën, si dhe t’i rekomandojë qeverisë të vendosë çmim tavan për analizën PCR (tamponin) në këtë rast.
“Kurse për kompanitë, duhet të nisë hetimin paraprak dhe të marrë masë gjobitjeje me 10% të xhiros sipas ligjit duke i ndëshkuar ato për shkeljen e kryer”- thotë Preçi.
Në të njëjtën kohë, eksperti Preçi zbulon edhe një fenomen tjetër në lidhje me tamponët.
Ai thotë se përveç të tjerash kompanitë bëjnë evazion fiskal duke i regjistruar në rregjsitrat e tyre me çmime më të ulta nga ato që ia shesin popullsisë, edhe pse në doganë janë futur me çmim shumë-fish më të ulët ose nuk i regjistrojnë fare klientët/pacientët që bëjnë testet përkatëse.
Për këtë thotë ai, qeveria duhet të bëjë publike shifrat e çmimeve në dogana dhe vendet prej nga ka autorizuar importimin e tyre që të orientohej edhe sjellja konsumatore.
Ligji për mbrojtjen e konkurrencës, ndalon të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengojnë; kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që:
-caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
– kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
– ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
– në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
– kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.
Abuzimi me pozitën dominuese në treg
Ndalohet çdo abuzim me pozitën dominuese nga një ose më shumë ndërmarrje, që e zotërojnë këtë pozitë në treg.
Mund të përbëjnë abuzim me pozitën dominuese veçanërisht:
vendosja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit;
kufizimi i prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik;
zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
vendosja e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.
Në këto raste Autoriteti I Konkurrencës mund të fillojë hetimin paraprak, me nismën e tij, me ankesë të palëve të interesuara ose të treta, për kufizime, shtrembërime apo pengime të konkurrencës.
Një ditë më parë subjektet private; “Laboratori i American Hospital Dega2”, “Intermedica Center”, “Genius Lab” dhe “Noval Diagnostic” në një vendimmarrje të përbashkët ulën çmimin e tamponit nga 12 mijë lekë në 8500 lekë.
Të katër laboratorët thanë se “vendimmarrja nga të katër klinikat për uljen në 8500 lekë të testit PCR ka ardhur nga ecuria e situatës epidemiologjike në vend, e cila në ditët e fundit është shoqëruar me rritje të numrit të të prekurve me COVID-19 dhe pas kërkesës së përsëritur nga Ministria e Shëndetësisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




