Futboll

Tallje me Disiplinë, goditja e arbitrit Jorgji në Rrogozhinë kushton 100 mijë lekë

Një tallje e hapur nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së, që sapo ka publikuar vendimet në lidhje me ngjarjet e ndeshjeve të fundit. Vëmendja ishte e gjitha te ngjarja e Rrogozhinës, ku në pushim të ndeshjes Egnatia-Dinamo u godit arbitri ndërkombëtar Enea Jorgji.

Një ngjarje e rëndë, që Disiplina në mënyrë komike e ka interpretuar si sjellje ta gabuar të tifozëve dhe e ka gjobitur Egnatian me 100 mijë lekë. Ky komision ka bërë “kurban” një drejtues të klubit rrogozhinas, duke e pezulluar me 8 ndeshje, por kjo nuk ka aspak rëndësi.

Arbitri Enea Jorgji, i shoqeruar nga stjuardet ne stadiumin e Rrogozhines. Gazeta Si, 4 shkurt 2022

Janë çuditë e zakonshme të futbollit shqiptar, ku një goditje e arbitrit dhe pjesa e dytë fillon me 15 minuta vonesë përkthehen vetëm në sjellje të gabuar të tifozëve. Minimalisht për atë ndeshje Egnatia duhej të dënohej me disa ndeshje pa tifozë. Ose anëtarët e Komisionit të Disiplinës janë verbuar, ose nuk duan të prishin qejfin e klubeve në prag të zgjedhjeve të 2 marsit.

Vendimet kryesore të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës
Partizani, për mosrespektim të përsëritur të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, duke mos vendosur stemën e Abissnet Superiore, në mëngën e djathtë të fanellës së lojës, dënohet me gjobë 100.000 lekë.

Teuta, për mosrespektim të përsëritur të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, duke mos vendosur stemën e Abissnet Superiore, në mëngën e djathtë të fanellës së lojës, dënohet me gjobë 100.000 lekë.

Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dënohet me gjobë 100.000 lekë.

Zyrtari i Egnatias, Klevis Murati, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 8 ndeshje pezullim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë