Talibanët kanë vendosur të mbyllin sallonet e bukurisë së grave në Afganistan, tha të martën një zëdhënës i qeverisë.
Zëdhënësi i të ashtuquajturës Ministri të Virtytit të Afganistanit, Mohammad Sidik Akif Mahajar, nuk dha detaje, por vetëm ka konfirmuar përmbajtjen e një letre që ka qarkulluar në rrjetet sociale.
Letra e lëshuar nga Ministria, e datës 24 qershor, thotë se përcjell një urdhër verbal të dhënë nga udhëheqësi suprem, Hibatullah Akhundzada.
Sallonet do të ndalohen në Kabul dhe të gjitha provincat tjera. Vendimi u jep salloneve në të gjithë vendin një afat prej 1 muaji për të mbyllur bizneset e tyre. Pas kësaj periudhe, ata duhet të mbyllen dhe të paraqesin një raport për mbylljen e tyre. Letra nuk jep arsyet e ndalimit.
Publikimi i vendimit vjen disa ditë pasi Akhundzada pretendoi se qeveria e tij ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmirësimin e jetës së grave në Afganistan.
Një pronare e sallonit të bukurisë tha se ajo ishte e vetmja që mbante familjen pasi burri i saj vdiq në një shpërthim me bombë në vitin 2017.
Ajo kërkoi që t’i ruhet anonimiteti nga frika e hakmarrjeve.
Tetë deri në 12 gra vizitojnë sallonin e saj në Kabul çdo ditë, tha ajo.
“Dita ditës ata (talibanët) po vendosin kufizime për gratë”, tha ajo për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Pse po synojnë vetëm gratë? A nuk jemi njerëz? A nuk kemi të drejtë të punojmë apo të jetojmë?”
Pavarësisht premtimeve fillestare për një sundim më të moderuar sesa gjatë qëndrimit të tyre të mëparshëm në pushtet në vitet 1990, talibanët kanë vendosur masa të ashpra që kur morën pushtetin e Afganistanit në gusht të vitit 2021, kur forcat e SHBA-së dhe NATO-s po tërhiqeshin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



