Kombetarja

Talenti i kristaltë Keidi Bare, dëmtohet sërish dhe rrezikon ndeshjet e shtatorit

Gazeta Si – Tani situata është bërë vërtet shqetësuese për trajnerin Edi Reja. Para ndeshjeve të radhës të Ligës së Kombeve me Islandën dhe Izraelin ai sheh që lista e mungesave po zgjatet. Keidi Bare mund të jetë i fundit.

Mesfushori i Espanjolit la fushën i dëmtuar në ndeshjen me Atletiko Bilbaon vetëm 15 minuta pasi kishte hyrë si zëvendësues. Fieraku u fut sapo nisi pjesë e dytë dhe në minutën e 60-të kërkoi ndërrim, sepse nuk mund të vazhdonte më.

Bare në një ndeshje me Kombëtaren. Gazeta Si, 5 shtator 2022

Shtypi sportiv spanjoll shkruan për një tërheqje, por priten analizat për të kuptuar shkallën e dëmtimit të lojtarit kuqezi. Nëse dëmtimi është serioz, ai me siguri do t’i humbasë dy ndeshjet e shtatorit.

Do të ishte një tjetër goditje për kuqezinjtë, të cilët nuk do të kenë të gatshëm Gjimshitin, Kumbullën, me shumë mundësi edhe Manajn. Të gjithë këta, bashkë me Baren, janë titullarë dhe madje nga më të rëndësishmit për Kombëtaren.

Bare ka pasur dëmtime të shpeshta. Mesfushori 25-vjeçar ka munguar vazhdimisht në ndeshjet e Kombëtares dhe klubeve ku ka luajtur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë